Maqedoni

Mosimplementimi i dispozitave për gjuhën shqipe. Lëvizja Besa kërkon zgjedhje të parakohshme

15.07.2019 16:14

Lëvizja Besa kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që vlerëson se Qeveria aktuale....

Lëvizja Besa kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që vlerëson se Qeveria aktuale dita ditës po dështon më shumë me implementimin e dispozitave ligjore për gjuhën shqipe. Për Besën është e papranueshme që ende nuk është themeluar inspektorati shtetëror i cili duhet të bëjë përcjelljen institucionale të implementimit të gjuhës shqipe.
 
“Me çka merren përfaqësuesit shqiptarë në qeveri, BDI-ja dhe partitë tjera kur edhe pas 6 muajve nuk arrijnë të krijojnë institucionin kryesor i cili do ta bëjë inspektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal, ndërsa në anën tjetër për çdo ditë kemi me qindra shembuj të bastardimit të gjuhës shqipe, mos respektim të duhur si dhe shkelje që kanë të bëjnë me përdorimin e të njëjtës. Për fat të keq po dëshmohet se edhe  kjo qeveri, si ajo e kaluara, që ka emëruesin e përbashkët, BDI-në, nuk kanë kapacitet për të punuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Prandaj zgjidhja e vetme e cila do ta kristalizojë skenën politike janë zgjedhjet e parakohshme”,- tha nënkryetari i Lëvizjes Besa, Abdush Demiri.
 
Qeveria: Inspektorati për gjuhët themelohet së shpejti
 
Nga Qeveria për TVM2 informojnë se themelimi i Inspektoratit shtetëror për respektimin dhe zbatimin e drejtë të gjuhës shqipe nëpër institucionet e vendit është në procedurë e sipër. I njëjti do të formohet brenda vitit, sipas nenit 23 të Ligjit për gjuhët, kur institucionet do t’i kenë të miratuara të gjitha aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji. 
 
REXHEP QAMILI