Dorëhiqet kryeprokurorja speciale, Janeva. “S’jam unë alibi për të mbajtur peng PSP-në”
Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, dha dorëheqje të parevokueshme nga PSP....

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, dha dorëheqje të parevokueshme nga PSP. Dorëheqja, siç thekson Janeva në komunikatën me shkrim të publikuar në ueb faqen zyrtare të PSP-së do të aktivohet në momentin kur partitë politike të harmonizojnë vendimin ligjor dhe do të zgjedhin personin që do zërë vendin e saj.
Janeva sqaron se nuk do të lejojë askënd të shfrytëzojë emrin e saj si alibi për të mbajtur peng fatin e Speciales, madje edhe të vetë ardhmërisë europiane të vendit. Për këtë vendosi të japë dorëheqje të parevokueshme.
“Me muaj i ndjek kronikat në media rreth negociatave të grupeve të punës së partive politike për të ardhmen e PSP-së. Ja sot e shfrytëzoj rastin të informoj opinionin se unë nuk do të lejoj që emri im të përdoret për ndonjë alibi që të mbahet peng fati i PSP-së dhe i integrimeve evropiane të vendin tim. E deponoj dorëheqjen time, e cila do të aktivizohet atëherë kur partitë politike do të merren vesh për ligjin e ri, me të cilin dhe do ta zgjedhin pasardhësin tim. Më lejoni që publikisht të falënderoj të gjithë ekipin e Prokurorisë Speciale Publike me të cilët kemi shkruar historinë. Duhet të jemi krenarë, sepse ne jemi simbol i luftës pa kompromis kundër formave më të larta të krimit dhe kriminalitetit të organizuar”,- shkruan Janeva në letrën e saj të dorëheqjes, duke falënderuar njëkohësisht edhe qytetarët dhe mediat që i dhanë përkrahje të parezervë PSP-së. (Flutura Latifi, TVM2)
