Maqedoni
Infrastruktura lokale, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve apel komunave: Konkurroni për mjete nga Banka Botërore
15.07.2019 17:49
Ministria e Transportit u apelon komunave të shfrytëzojnë mjetet nga Banka Botërore...

Ministria e Transportit u apelon komunave të shfrytëzojnë mjetet nga Banka Botërore për ndërtimin e infrastrukturës lokale. Në fazën përfundimtare është edhe miratimi i 70 milionë eurove nga Banka Botërore për këtë qëllim, andaj ministri i transportit, Goran Sugarevski, u apelon komunave që të aplikojnë me projekte konkrete.
“Të gjitha komunat do të marrin mjete me qëllim që të ndërtohen më shumë rrugët lokale. Mjetet nga Banka Botërore do të mund të përdoren nga vjeshta, ndërsa me një ritëm më intensiv, nga pranvera e vitit të ardhshëm. Qëllimi është të ndihmojmë komunat për atë që nuk është bërë në periudhën e kaluar prej 30 - 40 vjet”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.
Sugarevski së bashku me drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov, inspektuan punimet në ndërtimin e rrugës rajonale Çashkë - Lisiçe. Deri vitin e ardhshëm pritet që kjo rrugë të përfundojë dhe infrastruktura e komunës Çashkë të rehabilitohet nga të gjitha anët.
“Për momentin po punohet në rrugën nga Çashka në Lisiçe në gjatësi prej gjashtë kilometrave. Edhe prej Dollnenit në Prilep po punohet në rehabilitimin e rrugëve në Gostirazhni, Crnilishtë dhe Petle. Komuna e Çashkës këtë vit do të rehabilitojë plotësisht infrastrukturën”,- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov.
Ministria e Transportit pret edhe intensifikimin e punimeve në autostradën Kërçove - Ohër pas miratimit të kredisë nga ana e Bankës kineze.
GAZMEND KURTISHI
