Maqedoni

Kujdes nga dielli, mjekët: Karcinomet në lëkurë shënojnë rritje

15.07.2019 17:53

Ekspozimi në diell, përveç efekteve pozitive, ka edhe efekte negative....

Ekspozimi në diell, përveç efekteve pozitive, ka edhe efekte negative, sidomos në raste të rrezatimit të tepërt. Më të rrezikuar janë padyshim fëmijët dhe të rinjtë për shkak të ndjeshmërisë së lëkurës.
 
Alergjia nga dielli prek vetëm personat me ndjeshmëri ndaj rrezeve të diellit dhe në disa raste mund të shfaqet menjëherë pas ekspozimit në diell. Është evidentuar që kjo lloj alergjie ka predispozitë gjenetike, por jo në të gjitha rastet.
 
Dermatologët apelojnë që të kemi kujdes nga rrezet e diellit, të  mbrohemi me kremra apo losione me faktorë të lartë mbrojtës, të vishemi me rroba të përshtatshme, kapela dhe syza, si dhe të bëjmë kontrolle dermatologjike për të parandaluar pasojat afatgjata të dëmtimeve në lëkurë, që në vitet e mëvonshme mund të jenë shkak të paraqitjes së karcinomeve në lëkurë.
 
“Ekspozimi i tepërt në diell në ambient të hapur, qoftë për punë apo rekreim,  mund të ndjellë dëmtime akute apo kronike të lëkurës. Dëmtimet akute janë djegiet dhe reaksionet alergjike të lëkurës, dëmtimet kronike janë paraqitja e njollave, nishanet, nxirjet, gjegjësisht paraqitja parakarcinome  dhe karcinome në lëkurë. Këto të fundit janë vazhdimisht në rritje dhe kanceri në lëkurë është më i shpeshti në trupin e njeriut”,- u shpreh një dermatologe.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se i dinë rreziqet që i shkakton dielli e mundohen të mbrohen si munden.
 
“Pak po më lotojnë sytë”,- u shpreh një qytetar.
 
“Më pengon dielli në disa raste, unë vendosi kapelë”,- theksoi një qytetar.  
 
“Nuk më pengon aspak dielli”,- u shpreh një qytetar. 
 
“Me pengon si jo, por unë qëndroj më shumë në shtëpi”,- potencoi një qytetare.
 
“Duhet të lyhemi me kremra mbrojtës”,- theksoi një qytetare.  
 
Mbi 3.5 milion raste të reja të karcinomit në lëkurë paraqiten çdo vit në Europë, prandaj është e domosdoshme që në diell të mos dilni asnjëherë pa u lyer me krem me faktor mbrojtës!
 
VLORA LATIFI TOPOJANI