Maqedoni

VMRO-DPMNE: Qeveria ka gënjyer ekspertët dhe UNESKO-n

15.07.2019 18:14

VMRO-DPMNE ka akuzuar shumicën parlamentare se ligji i ri për ruajtje të rajonit të Ohrit....

VMRO-DPMNE ka akuzuar shumicën parlamentare se ligji i ri për ruajtje të rajonit të Ohrit që është dorëzuar deri te Kuvendi, nuk është i njëjti që ishte në marrëveshje me ekspertët. Sipas tyre, debatet publike kanë rënë në ujë, ndërsa ekspertët publikë janë gënjyer, në mënyrë të njëjtë është gënjyer edhe UNESKO-ja.
 
“Në kundërshtim me të gjitha qasjet, kjo Qeveri po imponon dispozita me të cilat Këshilli i ri duhet të vendosë me badenter që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe aq më tepër në Këshill të marrë pjesë edhe një përfaqësues i jashtëm me propozimin e ministrit për sistemin politik dhe marrëdhënie me bashkësitë”,- tha Ane Llashkoska nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: VMRO 11 vite ka keqpërdorur Ohrin
 
Por, nga LSDM thonë se nuk ka hipokrizi më të madhe se sa VMRO-DPMNE të flasë për Ohrin. Në një reagim me shkrim ata thonë se fajtori kryesor për shkatërrimin e pasurisë kulturore në Ohër ka qenë VMRO-DPMNE. 
 
“VMRO-DPMNE është një fajtor i drejtpërdrejtë për shkatërrimin e pasurisë kulturore dhe natyrore për shkak të injorancës së plotë të rekomandimeve të UNESKO-s nga një anë dhe përqendrimit të plotë në krim nga ana tjetër. Ohri dhe rajoni i Ohrit ishin lënë në mëshirë të orientimit kriminal të VMRO-DPMNE-së. Sot, Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja, komuna e Ohrit, ekspertët dhe sektori joqeveritar, me intensitet punojnë për të përmbushur rekomandimet e UNESCO-s”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
NAIM RAMADANI