Maqedoni
Shoqërohet në polici pronari i 1TV, dyshohet për marrje parash në mënyrë antiligjore
15.07.2019 18:34
Pronari i televizionit 1TV, Bojan Jovanovski, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Publike....

Pronari i televizionit 1TV, Bojan Jovanovski, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Publike për luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendkalimin kufitar Bogorodicë, teksa po hynte në territorin e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu është arrestuar edhe biznesmeni, Zoran Milevski. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale “Marrje e parave në mënyrë joligjore”, e kjo, sipas Prokurorisë, është faktuar tashmë me prova materiale dhe verbale.
“Që nga nëntori i vitit të kaluar e deri në prill të këtij viti, i dyshuari kryesor ka ndikuar përmes një prokurori publik që të lehtësojë ndjekjen penale ndaj një personi të caktuar për të cilin po zhvillohej procedura. Ndaj personit të cilin e kanë ndihmuar në disa raste, kanë marrë si mito 1.5 milion euro. Për të vazhduar ta ndihmojnë ishte arritur dakordim edhe për 5 milionë euro si shpërblim. Pas dyshimeve se takimet me të mund të ishin komprometuar, vendosën të mos mbajnë më takime. I dyshuari i parë dyshohet për larje parash, që do të thotë se paratë e fituara në mënyrë joligjore i ka përdorur për kënaqësitë e tij personale, pushime veshje etj, Edhe pse shumat që harxhonin i tejkalonit fitimet e tij mujore”,- deklaroi prokurorja në SKOK, Vilma Ruskovska.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të dy të dyshuarit. I pyetur nëse ka ndonjë lidhje mes arrestimit të Jovanovskit dhe dorëheqjes së kryeprokurores speciale, Katica Janeva, prokurori republikan Jovevski tha se dorëheqja është akt personal, e si të tillë nuk dëshiroi ta komentojë. Jovanovski dhe Milevski u vunë në vëmendje të opinionit pas një serie tekstesh të gazetarit, Branko Gerovski, i cili shkruante me emra të trilluar për një pronar televizioni, biznesmen dhe politikan që zhvat afaristët për t’i sjellë reklama në televizionin që e drejton.
BESIM ABDULLAI
