Maqedoni
Vetingu, Zaev: Të jetë gjithëpërfshirës, por mungojnë kuadrot
15.07.2019 18:25
Kryeministri Zaev ka justifikuar shtyrjen e vetingut ndaj gjykatave....

Kryeministri Zaev ka justifikuar shtyrjen e vetingut ndaj gjykatave, të premtuar gjatë zgjedhjeve dy vite më parë, me mungesën e kuadrit. Sipas kryeministrit Zaev, në Maqedoni duhet të realizohet veting transparent dhe ai mbetet i përkushtuar këtë formë, por me rëndësi është që e njëjta të mos prekë vetëm sistemin gjyqësor.
“Unë jam jo vetëm për veting në sistemin gjyqësor, por që ai të përfshijë të gjitha institucionet në shtet. Me arsye kam qëndruar pas një procesi edhe deri më sot qëndroj në këtë këndvështrim si mënyrë më e shpejtë që ta përmirësojmë gjyqësorin në shtet, e kjo është shpërbërja me të drejtë të rizgjedhjes. Kur biseduam me partnerët evropianë, ata kërkuan përgjegjësi personale e jo kolektive dhe kjo është një arsye më pak e rëndësishme. Si arsye e dytë më e rëndësishme është kapaciteti i resursit, gjegjësisht si të plotësohen vendet e zbrazëta të gjykatësve dhe prokurorëve nëse ata shkojnë në proces të vetingut”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
E për të justifikuar mungesën e kuadrove, Zaev potencoi shifrat e gjykatësve, duke alarmuar se shumë shpejt nuk do të ketë më kush të gjykojë. Vendit i duhen 750 gjykatës për funksionimin normal të sistemit, aktualisht ka vetëm 520 e 19 gjykatës të rinj që do të mund të jenë gati vetëm pas dy vitesh. Zaev shqetësohet se nëse realizohet vetingu, 300 gjykatës aktualë mund të largohen, e kjo, sipas tij, që do të hapte një vrimë shumë të madhe në sistemin gjyqësor.
“Në shtet ka të sistematizuar 720 gjykatës, ndërsa për momentin kemi 520 gjykatës dhe nëse ky proces pastron edhe 300, ndërsa për të nxjerrë kuadro e dinë se në çdo dy vite nxjerrim nga 19 gjykatës, që tregon se nuk ke mundësi si t’i mbulosh”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Vetingu është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publikë, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut. Proces i tillë është duke u zhvilluar në Shqipëri.
FITIM KRYEZIU
