Maqedoni

Arrestimi i “Boki 13”, VMRO: Vetëm një pjesë e tregimeve të pushtetit

16.07.2019 11:01

VMRO - DPMNE, përmes një kumtese për media, thekson se arrestimi i Bojan Jovanovskit...

VMRO - DPMNE, përmes një kumtese për media, thekson se arrestimi i Bojan Jovanovskit, i njohur si “Boki 13”, është vetëm një pjesë e tregimeve reket të pushtetit. Nga kjo parti thonë se ata që nuk kanë pasur fat ta ndjejnë në lëkurën e tyre reketin e pushtetit, janë funksionarë të afërt me LSDM-në dhe Zaevin.
 
“Kush janë Kiki dhe Friki, nga tregimet reket të publikuara në media? Kush është prokurori publik dhe pse identiteti i tij fshihet? Ky është krim institucional, që është e pamundur të zbatohet pa dijen e kriminelit të falur, Zoran Zaev”,- thonë nga VMRO - DPMNE. Ata shtojnë se hetimi duhet të vazhdojë dhe të ketë përgjegjësi për të gjithë aktorët të cilët, sipas tyre, janë pjesë e qeverisë dhe LSDM-së. 
 
LSDM: Ndërtuam institucione që luftojnë korrupsionin
 
Ndërkohë, për partinë maqedonase në pushtet, LSDM-në, rasti i fundit i hapur nga Prokuroria Themelore është dëshmi se ekziston mekanizëm mbrojtës në relacionin qytetar – Prokurori – MPB, që e mbron shoqërinë dhe mund të merret me rastet e korrupsionit. Ata thonë se shteti ka ndërtuar institucione dhe ka krijuar sistem që lufton me korrupsionin dhe krimin.
 
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit, ndërsa drejtësi duhet të ketë. LSDM inkurajon dhe fton institucionet kompetente të zbatojnë hetim të thellë dhe të pavarur, të respektojnë ligjet që të sundojë e drejta në vend”,- thonë nga LSDM. Ata thonë se proceset gjyqësore për këtë rast dhe rastet tjera duhet të zbatohen deri në fund, që të përmbushet drejtësia.