Maqedoni
Takim Osmani – Çavushoglu, vlerësohet mbështetja e Turqisë për RMV-në
16.07.2019 12:03
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, mbajti takim me Ministrin për Punë të Jashtme të Republikës së Turqisë...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, mbajti takim me Ministrin për Punë të Jashtme të Republikës së Turqisë, Mevlut Çavushoglu në kuadër të vizitës së këtij të fundit në Maqedoninë e Veriut.
“Marrëdhëniet miqësore tradicionale të afërta mes dy vendeve janë shembull i vërtetë për ndërtimin e partneritetit strategjik, dhe në këtë kuptim, me kënaqësi mund të them se me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO nga ana e Kuvendit të Madh Popullor, Turqia dëshmoi mbështetjen shumëvjeçare të vendit tonë në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe euro- atlantik” – theksoi Osmani.
Në vazhdim të takimit dy bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë për thellimin e saj në të ardhmen, në kuadër të partneritetit strategjik afatgjatë, si dhe u hapën temat lidhur me integrimin evropian dhe perspektivat e vendit gjatë periudhës së ardhshme, në pritje të fillimit të negociatave në tetor.
Osmani dhe Çavushoglu këmbyen mendime edhe për gjendjet në rajon, duke theksuar se suksesi në tejkalimin e çështjeve të hapura të Maqedonisë së Veriut me fqinjët është shembull i shkëlqyer i Ballkanit që duhet të jetë motivim dhe shtytje për të gjitha vendet tjera të Ballkanit.
