Maqedoni

Ruskovska: Jovanovski dhe Milevski janë paraburgosur. Ruskovskës i merret telefoni

16.07.2019 10:47

Shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska...

Shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska, tha se ekzistojnë dyshime që Bojan Jovanovski, i njohur si “Boki 13”, ka tentuar të arratiset dhe për këtë arsye është arrestuar në kalimin kufitar “Bogorodica”. Ajo tha se është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve për Jovanovskin dhe Milevskin, të cilët u arrestuan gjatë ditës së djeshme. Ata dyshohen për marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm dhe larje parash. 
 
“Dëshmitari ka dorëzuar padi penale dhe është marrë në pyetje. Më pas është ftuar edhe një herë që ta plotësojë padinë penale. Edhe persona tjerë janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarëve”,- tha Ruskovska.
 
Ajo tha se Prokuroria ka siguruar incizime nga bisedat mes të dyshuarve dhe dëshmitarit. Ruskovska konfirmoi se është marrë telefoni i prokurores speciale, Katica Janevës, që, siç tha, të shihet komunikimi i saj me të dyshuarin e parë “Boki 13”. “Për momentin prokurorët nuk kanë pse të nxirren para gjykatësit. Procedura është e hapur që të shihet kush është i përfshirë në gjithë këtë rast”,- tha Ruskovska. Ajo shtoi se në të ardhmen hetimi do të zgjerohet. 
 
Ndërkohë, dje kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, dha dorëheqje. Ajo sqaron se shkaku i dorëheqjes është se nuk do të lejojë askënd të shfrytëzojë emrin e saj si alibi për të mbajtur peng fatin e Speciales dhe ardhmërisë europiane të vendit.