Maqedoni

Çavushovglu: Mbështesim RMV-në, presim hapa konkretë për FETO-n

16.07.2019 15:26

Turqia mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut, por shefi i Diplomacisë turke, Mevlud Çaushoglu

Turqia mbështet fuqishëm Maqedoninë e Veriut, por shefi i Diplomacisë turke, Mevlud Çaushoglu, pret hapa konkretë nga Shkupi zyrtar rreth ekstradimit të anëtarëve të FETO-s që gjenden në vendin tonë. Në pres konferencën e përbashkët me ministrin e  jashtëm Dimitrov, Çaushoglu përkujtoi se Organizata terroriste FETO paraqet kërcënim serioz për të gjitha shtetet ku anëtarët e saj operojnë, sigurisht edhe për Maqedoninë e Veriut. 
 
“Organizata terroriste FETO nuk paraqet kërcënim vetëm për Turqinë, por për më shumë se 160 vende të botës ku ata janë të shtrirë. Prandaj lufta ndaj kësaj organizate nuk duhet të jetë vetëm e Turqisë, por ato duhet t’i luftojmë bashkërisht. Kjo organizatë paraqet rrezik edhe për sigurinë e Maqedonisë, sepse ata janë të përfshirë edhe këtu, por në disa vende për fat të keq ajo ka mbështetje edhe nga jashtë. Sa i përket bashkëpunimit politik, Turqia fuqishëm përkrah vendin tuaj në rrugën drejt BE dhe NATO-s, ne kemi ratifikuar Protokollin e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe jemi të kënaqur që do të kemi një mik në atë familje”,- tha ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlud Çaushoglu.
 
Dimitrov: Procedurat e ekstradimit, drejt finalizimit
 
Ministri Dimitrov falënderoi Turqinë për përkrahjen dhe përkujtoi se procedura e ekstradimit për disa prej anëtarëve të arrestuar të FETO-s është në fazën përfundimtare.
 
“Problemi i mikut tonë, Turqisë, është edhe problemi ynë dhe në aspektin e vullnetit politik do të bëjmë çmos të ndihmojmë, kemi marrëdhënie shumë të mira mes shërbimeve sekrete të të dyja vendeve. Procedurat gjyqësore për disa persona për t’u ekstraduar në Turqi janë në fazën finale, sepse lëndët e tyre janë në Gjykata. Turqia është partner i yni strategjik dhe na ka ndihmuar në rrugën drejt NATO-s, jo vetëm me ratifikimin e protokollit për anëtarësim, por edhe në përmbushjen e standardeve drejt BE-së edhe pse Turqia nuk është pjesë e saj”,- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, Nikolla Dimitrov.
 
Dimitrov dhe Çaushoglu inauguruan pajisjen për digjitalizimin e arkivit diplomatik të Ministrisë, projekt ky që  financohet nga agjencia turke – TIKA. Çaushoglu u takua edhe me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmanin. Ky i fundit theksoi se me ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Turqia dëshmoi mbështetjen shumëvjeçare në rrugën e vendit tonë drejt integrimit europian dhe euroatlantik. Fillimisht, Turqia ishte e prerë se nuk do të ratifikonte protokollin, nëse Shkupi zyrtar nuk ekstradonte anëtarët e FETO-s.
 
FITIM KRYEZIU