Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, Pecas: Po punojmë të zvogëlojmë pasojat

16.07.2019 16:14

Greqia nuk ka interes të kundërshtojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në....

Greqia nuk ka interes të kundërshtojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, por Athina zyrtare deklaron se do të zhvillojë një luftë të rëndë gjatë tërë procesit me qëllim që të mbrojë interesat e vendit.  Zëdhënësi qeveritar, Stelios Pecas, në intervistën e parë pas formimit të qeverisë së re për TV Kombëtar ERT, thotë se qeveria greke do të jetë e fokusuar në zvogëlimin e pasojave negative të cilat dalin nga Marrëveshja e Prespës. Sipas tij, në mbrojtje të interesave kombëtare, Greqia gjithnjë do të  ketë në dispozicion të drejtën e vetos. 
 
“Ne bëmë gjithçka që të mos ratifikohet, për fat të keq qeveria e kaluar e ratifikoi këtë marrëveshje. E dimë se është shumë e vështirë këto marrëveshje, të cilat e obligojnë vendin, të ndryshohen apo prishen. Atë që duhet ta bëjmë ne në korniza të marrëveshjes është t’i zvogëlojmë pasojat negative. Një element tjetër kyç është mbrojtja në nivel të BE-së që interesat e vendit tonë të jenë të kënaqshme, kur të hapen apo të mbyllen kapitujt gjatë bisedimeve mes vendit fqinj dhe BE-së dhe për këtë çdoherë do të jemi aty dhe nuk do ta lëshojmë as të drejtën e vetos kur do të ketë nevojë të plotësohen interesat tona”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë greke, Stelios Pecas. 
 
Pendarovski: Qeveria e re greke do të jetë më rigoroze
 
Edhe presidenti, Stevo Pendarovski, pret që Qeveria e re greke të respektojë Marrëveshjen  e Prespës, por pranon se rruga për zbatimin e saj do të jetë e vështirë.
 
“E para, është më lehtë për të bërë një marrëveshje. Sipas deklaratave publike të Qeverisë së re greke, ata do të respektojnë Marrëveshjen e Prespës dhe thonë se në ndërkohë vetëm do të qëndrojnë në implementimin më rigoroz të saj”,- theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Demokracia e Re e cila fitoi zgjedhjet e fundit në Greqi, gjatë kohës kur ishte në opozitë kundërshtonte në çdo formë nënshkrimin dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila ndryshoi emrin dhe i hapi rrugë Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s dhe BE-së.
 
LEUNORA KALIQI