Botë
Kriza politike në Shqipëri, Basha dakord për zgjedhje më 13 tetor
16.07.2019 17:07
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është dakord që të bëhen zgjedhje më 13 tetor...

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është dakord që të bëhen zgjedhje më 13 tetor, pa vënë kushte nëse ato bëhen me apo pa Ramën kryeministër. Pas një takimi me presidentin, Ilir Meta, Basha i sheh këto zgjedhje si një mundësi për të dalë nga kriza.
“Padyshim, lidhet me 13 tetorin. Kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe, siç është shprehur politikisht, edhe përmes zgjedhjeve të reja presidenciale, që nënkupton ndryshime kushtetuese. Opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës, që është dhunuar dhe tjetërsuar, përtej çdo përfytyrimi, çfarë e pa edhe më 30 qershor, ku Edi Rama nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe një proces ku kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë, tabulonte vetë dhe për të garantuar, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve”,- deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Pas refuzimit të një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita e bashkuar e sheh veten si mazhorancë të re politike, ndaj ka nisur punën që të kenë gati të gjitha zgjidhjet e problemeve ekonomike e sociale, nëse do të ulen në kabinetin e ri qeveritar.
LULJETA NDOKA
