Botë
Haradinaj i përgjigjet Makronit: Kompromis për taksën, vetëm njohja nga Serbia. Vuçiq: Mund të ketë vazhdim të Samitit të Berlinit
16.07.2019 17:30
Porosia që presidenti i Francës i bëri Kosovës nga Serbia për arritjen e një kompromisi në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi...

Porosia që presidenti i Francës i bëri Kosovës nga Serbia për arritjen e një kompromisi në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, nuk ka arritur të ndryshojë qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vazhdon të jetë i prerë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa një marrëveshje kornizë.
Për të, kompromis për heqjen e taksës është vetëm njohja nga Serbia.
“Falënderojmë presidentin për sinqeritetin e shprehur kur tha se Kosova dhe Serbia janë me perspektivë evropiane. U pa qartë një dëshirë për t’i afruar të dy shtetet. U pa një investim i madh. Nëse flasim për kompromis është nëse heqim taksën në shkëmbim të njohjes. Mund të jetë kompromis kjo heqja e taksës, ndërsa ajo që ka kërkuar Kosova është bazike. Kemi kërkuar kornizë marrëveshje për njohje të territorit ekzistues”,- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar ndërkohë se në muajin shtator mund të ketë “një lloj vazhdimi të Samitit të Berlinit”.
“Mendoj se duhet kohë për të folur për disa gjëra. Ju e dini se unë e urrej ta gjuaj fajin në anën tjetër, të përmend taksat. Le të presim që fuqitë e mëdha të bëjnë gjërat e tyre, pastaj ne do të dalim me qëndrimin tonë”,- u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Francës, Macron, kërkoi nga Serbia, ku qëndroi në vizitë dyditore, që Europa duhet ta mbështesë rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje konkrete në muajt e ardhshëm.
VLORA LATIFI TOPOJANI
