Maqedoni
Takimi i liderëve, Mickovski: nuk do të marr pjesë në takim, nuk diskutohen zgjedhjet
16.07.2019 18:06
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve të premten të thirrur nga kryeministri, Zoran Zaev. Si shkak për mungesë në takim, Mickovski përmendi mosdiskutimin e kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Nuk e shoh të nevojshme prezencën time në takim, ku do të flitet për gjithçka, kjo do të jetë alibi dhe nuk do të bisedohet për atë që sot ka nevojë RM, datë kur do të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Edhe përkundër asaj që Zaev thotë se gjithmonë është i gatshëm të dalë në zgjedhje, megjithatë ai po përballet me frikën nga humbja e thellë. Unë i pari ftova kryeministrin të bashkëpunojmë për caktimin e datës. Pushteti refuzoi dorën e bashkëpunimit dhe u përgjigj me përndjekje të funksionarëve të VMRO-DPMNE-së. Si të takohemi, me qëndrime diametralisht të kundërta?”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kostadinov: Edhe pa Mickovskin vendi do të ecë para
Nga LSDM, duke akuzuar Mickovskin për bllokues të proceseve, thonë se takimi i liderëve do të mbahet edhe përkundër refuzimit të ftesës nga vetë ai.
“Kur bëhet fjalë për reformat, për interesin e qytetarëve, Maqedoninë e Veriut dhe interesin e shtetit, ne jemi të gatshëm dhe bisedojmë dhe mendojmë se duhet të ketë takim liderësh. Nga ana tjetër e shohim opozitën nëpërmjet Hristijan Mickovskit se si po mundohet në çdo mënyrë me veprimin e tij destruktiv të bllokojë proceset dhe reformat. Maqedonia do të ecë para me ose pa Hristjan Mickovskin”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Kostadinov.
Osmani: Nevojitet institucion i lartë kundër krimit
BDI në takimin e liderëve do të prezantojë kërkesën për një institucion të lartë për luftimin e krimit në nivel të lartë të politikës, e që është kërkesë e BE-së.
“BDI mbetet mbështetës i fuqishëm i pasjes dhe krijimit të një institucioni të veçantë që do të merret me krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, e veçanërisht atë politik, dhe me këtë qëndrim do të jemi edhe në takimin e liderëve. Cila formë do të përzgjidhet aty, a do të ketë vazhdim të institucionit të njëjtë, a do të ketë institucion të ri, u mbetet liderëve në politikë”,- theksoi Bujar Osmani nga BDI.
Me propozimet e tyre në takim do të vijë edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela. Kryeministri, Zoran Zaev, për diskutim do të hap regjistrimin e popullsisë, Kodin e ri Zgjedhor dhe Ligjin për Prokurori Publike.
MERAL ISMAILI
