Maqedoni

“Zhvatja”, Janeva dhe interpretimet politike, LSDM: Nuk guxon të ketë të paprekshëm

16.07.2019 18:31

Rasti “Zhvatja” dhe dyshimet për keqpërdorim të kompetencave nga vet prokurorja speciale, Katica Janeva...

Rasti “Zhvatja” dhe dyshimet për keqpërdorim të kompetencave nga vet prokurorja speciale, Katica Janeva, të ngritura nga Prokuroria për Krim të Organizuar, kanë ndezur skenën politike.
 
Partitë politike, me interpretime të ndryshme. Sipas LSDM-së, në pushtet dëshmojnë se kjo qeveri është përkushtuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dhe se askush nuk është mbi ligjin. 
 
“Dita e djeshme dëshmon dhe besoj edhe në të ardhmen do të dëshmojë, se nuk ka dhe nuk guxon të ketë të paprekshëm nga drejtësia. Gjithmonë kur ka dyshime të bazuara për vepër të kryer penale, Prokuroria është e detyruar që të procedojë, në harmoni me kompetencat e saj dhe nëse dyshimet e tilla shndërrohen në aktakuzë, gjykatat duhet të veprojnë”,- tha deputetja e LSDM-së.
 
BDI: Rasti flet për nevojën e “vetingut”
 
Sipas BDI-së, ngjarjet e një dite më parë janë dëshmi më shumë se vendi ka nevojë për një proces “vetingu”, të cilin e propozon kjo parti.      
 
“Ngjarjet e djeshme shpresoj që do të dëshmojnë zbatimin e ligjit dhe në fakt flasin zëshëm për nevojën e “vetingut” të cilin e kemi përgatitur ne, si proces, si politikë dhe në formën e draft ligjit për të gjithë gjykatësit dhe për të gjithë prokurorët, duke respektuar gjithmonë prezumimin e pafajësisë”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
 
VMRO-DPMNE: Porositësi kryesor është jashtë PPS-së
 
Sipas opozitës maqedonase, kjo prokurori ka humbur besueshmërinë shumë më parë, ndërsa rasti i fundit, sipas tyre, dëshmon se ajo ka dalë jashtë kontrolli dhe se është shndërruar në një strukturë piramidale.
 
“Mendimi im është se në këtë strukturë të ndërtuar piramidale për reket politik mediatik, kemi emra që opinion i spekulon dhe kanë qenë të përfshirë në të, por nuk besoj se ende dikush e ka përmendur emrin e porositësit kryesor. Sipas meje, porositësi kryesor është jashtë PPS-së, por ia lëmë hetimit dhe organeve që në ditët dhe javët që vijnë ta konfirmojnë atë”- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Besa: Drejtësia selektive dhe ky rast, rrënuan besimin
 
Edhe opozita shqiptare konsideron se pas dyshimeve për drejtësi selektive, dyshimet e ngritura ndaj ish-kryeprokurores, Katica Janeva, kanë rrënuar edhe më shumë besueshmërinë në këtë institucioni.
 
“PPS-ja ishte një nga institucionet më të besueshme, por gjatë kohës, edhe pse kishte suksese të caktuara, qytetarët filluan të humbasin besimin në këtë institucion për arsye se u pa drejtësi selektive. Nga njëra anë kishte procedura ndaj ish zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së, por nuk kishte procedura kundër ish zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë të BDI-së, që janë pjesë e pushtetit aktual”,- theksoi deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli.
 
Kryeprokurores së dorëhequr, Katica Janeva, i është marrë celulari për shkak të dyshimeve për lidhshmëri me drejtuesin e televizionit 1TV, Bojan Jovanovski, dhe afaristin, Zoran Milevski, të cilët janë paraburgosur pas denoncimeve se kanë marrë 1.5 milion euro nga afaristi, Orce Kamçev, duke i premtuar masa lehtësuese, madje edhe lirim nga akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër tij.
 
SHPËTIM NUREDINI