Maqedoni
Ristoska: PSP-në nuk e karakterizojnë veprimet individuale
16.07.2019 18:18
Veprimet individuale nuk i karakterizojnë veprimet e tërë institucionit. Kështu prokurorja speciale, Lençe Ristoska....

Veprimet individuale nuk i karakterizojnë veprimet e tërë institucionit. Kështu prokurorja speciale, Lençe Ristoska, komenton hetimin për rastin "Zhvatja" të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, ku prokurores speciale, Katica Janeva, i është marrë telefoni celular për t’u hetuar komunikimi i saj eventual me të dyshuarit. Ristoska tha se nuk ka informacione zyrtare se prokurorja speciale, Katica Janeva, është e përfshirë në këtë rast, andaj apeloi për respektim të parimit “prezumim të pafajësisë”. Integriteti i PSP-së nuk është i rrezikuar, andaj nuk guxon të vihen në pyetje procedurat që janë udhëhequr deri më tani. Ajo tha se gjatë gjithë ditës nuk ka pasur kontakt me Janevën, ndërsa për dorëheqjen e saj kanë kuptuar në momentin kur e ka dorëzuar të njëjtën.
“Veprimet individuale nuk i karakterizojnë veprimet e institucionit në përgjithësi. PSP është një institucion në të cilin punojnë prokurorë dhe hetues me integritet të lartë personal dhe profesional. Ne apelojmë që të gjitha ndodhitë që janë aktuale, sa më shpejtë të zbardhen, pasi që është edhe në interesin tonë dhe institucionit. Apelojmë sërish në respektimin e parimit të prezumimit të pafajësisë, veçanërisht që edhe një herë përsëris se informatat zyrtare për momentin flasin se nuk kemi involvim të prokurores speciale”,- tha prokurorja speciale, Lençe Ristoska.
Sa i përket rastit "Perandoria", ku i dyshuar është Orce Kamçev, Ristovska tha se hetimi në të cilin i dyshuari figuron si dëshmitar në hetimin e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, nuk e ndërpret procedurën për këtë rast të përfaqësuar nga PSP. Në pyetjen e gazetarëve nëse është e rastësishme që dyshimet për veprën e ngritur të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion përkojnë me periudhën prej kur është ngritur akuza për rastin "Perandoria", nuk pati përgjigje konkrete.
Stefanova: Nënshkrimet për "Perandorinë" janë të Janevës
Për rastin “Perandoria”, fillimisht PSP këmbëngulte për paraburgim për Kamçevin, shumë shpejt e njëjta u zëvendësua me masë më të lehtë. Më pas, podrumet e PSP-së u përmbytën e u shkatërruan disa dëshmi për këtë rast, e në fund të dyshuarve u kthyen edhe dokumentet e udhëtimit. Stefanova është prokurorja që përfaqëson lëndën "Perandoria" në emër të PSP-së dhe sqaron se ka qenë Katica Janeva ajo që i ka nënshkruar të gjitha vendimet. Stefanova vetë nuk frikësohet se mund të përfshihet në hetimin e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion.
“Sipas Ligjit për prokurori speciale, të gjitha vendimet, çdo dokument që del nga kjo prokurori, i nënshkruan vetëm prokurorja speciale, Katica Janeva, dhe në mungesë të saj, prokurorë të autorizuar. Unë nuk kam nënshkruar asnjë vendim, as mendim për lirim nga paraburgimi, as një vendim për kthimin e dokumenteve të udhëtimit. Unë nuk kam frikë, nuk kam pse të jem e involvuar në hetim”,- tha prokurorja speciale, Lile Stefanova.
Ristoska thotë se për shkak të hetimeve nuk mundet të shpalosë për opinionin çdo informacion, megjithatë tha se PSP është e gatshme për informata shtesë nëse mediat ia kërkojnë. Në prag të takimit të paralajmëruar të liderëve, prokurorja Ristoska u bëri thirrje të gjitha partive politike të mbajnë anën e interesave të qytetarëve dhe të mundësojnë që kjo prokurori t’i zbatojë të gjitha hetimet që janë në interes të publikut.
FLORIJE BELULI KAMBERI
