Botë
Von Der Leyen pret votën e PE-së, BE të shpërblejë vendet që plotësojnë kriteret
16.07.2019 17:41
Parlamenti Evropian voton për kryetaren e re të Komisionit Evropian....

Eurodeputetët janë treguar tërësisht të ndarë në mbështetjen e saj, me çka Von Der Leyen nuk është e sigurt nëse do t’i mbledh votat e nevojshme për të bartur funksionin e kryetares së ekzekutivit të BE-së, rezultate të cilat do të publikohen pas orës 20. Duke prezantuar planet dhe vizionet për pesë vitet e ardhshme, Von Der Leyen ka thënë para eurodeputetëve se vendet aspirante për integrim në BE duhet të shpërblehen pasi që t’i kenë plotësuar kushtet. Sipas saj, është koha të tejkalohen ndarjet midis konceptit të Evropës Perëndimore dhe Lindore.
“Jam plot respekt kur mendoj për përpjekjet se vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë ndërmarrë dhe marrin përsipër të hyjnë në BE, dhe mendoj se kur t’i plotësojnë kriteret duhet të shpërblehen. Unë e di se ka ende një ndarje të caktuar mes Jugut dhe Veriut. Unë e kam shtjelluar gjerësisht si ta kalojmë këtë dhe të gjejmë ekuilibrin midis përgjegjësisë dhe fleksibilitetit. Ne duam sundim të bazuar në rregulla, sepse e dimë se kjo është më e mira për të gjithë ne. Ne duhet ta bëjmë këtë në mënyrë evropiane”,- deklaroi e nomuiuara për kryetare të KE-së, Ursula Von Der Leyen.
Von Der Leyen sonte duhet të arrijë formulën 50% +1 të votave nga gjithsej 751 deputetë, përfaqësues nga vendet anëtare të BE-së. Nëse nuk siguron numrin e nevojshëm të përkrahësve, vendimi kthehet në tryezën e liderëve evropianë për të gjetur një kandidaturë tjetër.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
