Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, Prokuroria mbledh provat, nuk jep detaje. Ruskoska: Kemi xhirime inkriminuese e dëshmitarë të tjerë

16.07.2019 19:11

Gjykata caktoi tashmë masën 30 ditore të paraburgimit për dy të dyshuarit në rastin “Zhvatja”...

Gjykata caktoi tashmë masën 30 ditore të paraburgimit për dy të dyshuarit në rastin “Zhvatja”, Bojan Jovanovskin dhe Zoran Milevskin, që janë dërguar në burgun e Shutkës.
 
Prokuroria ka bastisur edhe shtëpitë dhe veturat e të dyshuarve, ku janë konfiskuar dy kompjuterë personalë dhe një laptop të shfrytëzuar nga Jovanovski dhe asistentja e tij, një numër i madh veshjesh të brenduara, stoli, orë të shtrenjta dhe vepra arti.
 
Nga i dyshuari i dytë janë marrë laptopë, kompjuterë, dokumente, telefona celularë, USB dhe kartela memorie, dhe sasi e madhe e armëve dhe municionit, që në mënyrë shtesë do të kontrollohet nëse për të njëjtat Milevski ka pasur leje, sqarojnë nga Prokuroria. Është konfiskuar edhe celulari i prokurores speciale, Katica Janeva, por nga prokuroria nuk japin asnjë të dhënë  përse e kanë marrë telefonin e saj dhe nëse kanë dyshime se ka lidhje me të dyshuarit në këtë rast.
 
“Në bazë të sasisë së materialeve, ende po përgatiten procesverbalet për mjetet e marra dhe për momentin Prokuroria nuk mund të japë detaje. Prokuroria njofton opinionin se deri në këtë moment prokurori përgjegjës nuk ka zhvilluar biseda me persona të tjerë, për të cilët dolën spekulime se janë thirrur në bisedë informative, në drejtim të zbardhjes së rastit”,- njoftojnë nga Prokuroria Publike. 
 
Nga Prokuroria për Krim të Organizuar theksuan të hënën vonë në mbrëmje, se ka xhirime nga bisedat, janë dëgjuar edhe dëshmitarë dhe shpresojnë se hetimet për këtë rast do të zgjerohen edhe me persona të tjerë të dëmtuar nga të dyshuarit.   
 
“Para të shënuara nuk ka, por kemi xhirime. Ka edhe audio-xhirime, por edhe video. Gjatë hetimit të mëtejshëm, shpresoj se do të mund të presim zgjerim, por vetëm shpresoj se kjo do të ndodhë. Persona tjerë janë dëgjuar në rolin e dëshmitarit”,- u shpreh kryetarja e Prokurorisë për Krim të Organizuar, Villma Ruskoska.
 
Dy të dyshuarit, Prokuroria i akuzon për veprën penale “Marrje e parave në mënyrë joligjore”, kurse i dyshuari i parë akuzohet edhe për larje parash. 
 
ERSAN PAJAZITI