Botë

Ursula Von Der Leyen: Të bashkuar, ky është sekreti dhe forca jonë

17.07.2019 15:12

Kryetarja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen...

Kryetarja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, premton se do të angazhohet fuqishëm bashkë me komisionarët e tjerë për një Evropë të suksesshme, të bashkuar në ide dhe vizione. Në pres konferencën e parë të saj, Von der Leyen tha se do të kërkojë nga vendet anëtare t’i binden kompromisit për politikat e BE-së. Do të gjej balancë gjeografike midis Evropës Perëndimore dhe Lindore, Jugut dhe Veriut, tha Von Der Leyen.  
 
“Unë dua Evropë të bashkuar, dua ta dërgoj Evropën përpara dhe nëse duam Evropë të suksesshme, duhet të punojmë së bashku. Ky është objektivi im. Dua një komision që do të punojë për fuqizimin e Evropës dhe pozicionimin e saj në botë, sepse Evropa ka nevojë për këtë. Të gjithë ne e dimë, 28 shtetet anëtare, se askush individualisht nuk mund t’i zgjidh problemet më mirë se kur jemi bashkë dhe kjo është e bukura dhe sekreti i Evropës. Sigurisht ndonjëherë është e lodhshme të gjesh kompromis dhe konsensualitet, është e rëndë, por në fund të fundit marrin 500 milion njerëz në këtë udhëtim. Pra, dua komision që totalisht do të dedikohet në përmirësimin e BE-së”,- deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
 
Zgjedhja e kryetares së re të KE-së nga 383 eurodeputetë, lë hapësirë për të shpresuar në përqendrimin e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, të cilën e ka dhënë si prioritet në mandatin e saj pesëvjeçar. 
 
“Dëshiroj të riafirmoj perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe shoh një rol të rëndësishëm në procesin e reformave të vazhdueshme në të gjithë rajonin, ku kemi të njëjtin kontinent, të njëjtën histori, të njëjtën kulturë dhe sfida të njëjta. Unë e mbështes plotësisht dhe qëndrojë prapa propozimit të Komisionit Evropian për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”,- thekson presidentja e zgjedhur, Ursula Von Der Leyen, në udhëzimet politike për Komisionin Evropian për kohën 2019-2024.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU