Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, VMRO: Hetimi të dëshmojë nëse Zaev ka gisht. Zaev: Prokuroria të provojë fajësinë e mundshme. LSDM: A u vardiset Mickovski parave të përgjakura?

17.07.2019 18:47

Rasti “Zhvatja” është shndërruar në betejë politike mes VMRO-DPMNE-së në opozitë dhe LSDM-së në pushtet...

Partitë rivale akuzojnë krerët e njëra-tjetrës për përfshirje në krim dhe korrupsion, dhe ndikim politik për të kurdisur hetime.
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, zhvatja nuk mund të ketë ndodhur pa dijen e kryeministrit Zaev. Kërkojnë përgjegjësi dhe zgjedhje të parakohshme.   
 
“Hetimi duhet të dëshmojë nëse Zoran Zaev, personalisht ka luajtur rol dhe ka marrë pjesë në zhvatje, targetim dhe fshehje të shantazheve mbi afaristë. Që rasti të hetohet deri në fund, Zoran Zaev duhet të ik. Vetëm kështu Prokuroria dhe gjykatat do të mund të çlirohen nga kanxhat e pushtetit dhe të mësohet e vërteta për këtë rast”,- deklaroi Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, hodhi poshtë pretendimet për përfshirjen e tij në këtë rast dhe spekulimet se Janeva i ka telefonuar atij kur Prokuroria ia ka konfiskuar telefonin celular. Zaev, madje, kërkon nga Prokuroria Publike që të provojë nëse Janeva është përfshirë në këtë rast apo është keqpërdorur dhe të njoftojë opinionin.
 
“Prokuroria Publike tha se ka shkuar në shtëpinë e saj. Është marrë telefoni, nuk është bastisur, për të parë nëse ka dëshmi për përfshirjen e saj ose pjesëmarrje me të dyshuarin e parë, ose vetëm është keqpërdorur në këtë çështje. Kur bëhet fjalë për person të këtillë me interes publik, Prokuroria Publike është e detyruar të informojë nëse bëhet fjalë për keqpërdorim ose përdorim të Katica Janevës në të gjithë këtë proces, në harmoni me provat që disponojnë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas LSDM-së, hapja e rastit “Zhvatja” nga Prokuroria, dëshmon përcaktimin e pushtetit për shtet ligjor, i cili për dallim nga qeverisja e VMRO-DPMNE-së nuk kursen askënd.
 
Ftojnë institucion që të zbatojnë hetim të detajuar për të zbardhur dyshimet për përfshirjen e ndonjë anëtari nga ekzekutivi, siç po spekulohet, pyesin kreun e VMRO-DPMNE-së.
 
“Kemi institucione të cilat do ta shqyrtojnë rastin në detaje. Për fat të keq, lajmet e rrejshme vazhdojnë. Duket që Mickovski dhe VMRO-DPMNE janë frikësuar nga e vërteta dhe përparimi i vendit. Dua të pyes Kristijan Mickovskin: A ka pasur disa takime me njërin nga të dyshuarin e arrestuar, një takim në një diskotekë të njohur të Shkupit dhe të tjerat në selinë e VMRO-DPMNE-së dhe a u është vardisur parave të përgjakura të njërit nga të akuzuarit në rastet që i ka hapur PPS?”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
“Zhvatja politike” ndodh në periudhën kur palët duhej të arrijnë dakordësi për propozim Ligjin për Prokurorinë Publike, me të cilin do të sanksiononin edhe fatin e Prokurorisë Speciale.
 
Lufta me krimin dhe korrupsionin në nivele të larta është kushti kryesor për caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.      
 
SHPËTIM NUREDINI