Botë

Shqipëri, Meta: Tre palë zgjedhje më 13 tetor. Rama: Zgjedhjet mbaruan, 13 tetori e diel e zakonshme

17.07.2019 20:16

Edhe pse më 30 qershor në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore, presidenti, Ilir Meta...

Edhe pse më 30 qershor në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore, presidenti, Ilir Meta, vijon të mos i njohë ato e të kërkojë përgatitje për zgjedhjet e 13 tetorit.
 
Në një status në rrjetet sociale, presidenti i kërkon mazhorancës dhe opozitës që të përgatiten për zgjedhjet në 13 tetor, duke i paralajmëruar se Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë një vendim në 17-18 tetor për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.
 
Kreu i shtetit këshillon palët politike që të mos vazhdojnë të ecin në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën. Sipas tij, të dyja palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshirë dhe presidentin nga populli, në 13 tetor.
 
“Koha është tani! Në 19 tetor do të jetë shumë vonë!- e mbyll mesazhin e tij në facebook presidenti i Republikës.
 
Këtyre thirrjeve, kryeministri i është përgjigjur negativisht. Sipas tij, 13 tetori është një e diel e zakonte dhe se zgjedhjet e tjera do të mbahen në vitin 2021.
 
OSBE-ODIHR nuk i ka certifikuar ende zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pasi ka kërkuar kohë për të bërë verifikimet e duhura.
 
LULJETA NDOKA