Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, ShGM: Alarm i fundit për reforma urgjente në media
18.07.2019 11:46
Paraburgimi i Bojan Jovanovskit, menaxher në 1TV, ngre dyshime rreth abuzimit serioz të medias në llogari....

Paraburgimi i Bojan Jovanovskit, menaxher në 1TV, ngre dyshime rreth abuzimit serioz të medias në llogari të pasurimit personal të disa individëve, alarmojnë nga ShGM. Kjo ngjarje është edhe një goditje serioze ndaj reputacionit të gazetarisë profesionale. Nëse rasti nuk ka zgjidhje ligjore, mund të shkaktojë rënie në besimin e publikut ndaj gazetarëve dhe medieve, thonë nga Shoqata e gazetarëve. Nga ShGM kërkojnë zbatim urgjent të reformave të paralajmëruara dhe të premtuara në fushën e medias, përmes monitorimit të mënyrës së financimit të medias dhe në lidhje me pronësinë.
“I bëjmë thirrje Qeverisë dhe Opozitës, përmes Parlamentit, që të gjejnë një mekanizëm për zhbllokimin urgjent të procedurave parlamentare përmes të cilave reformat që janë të rëndësishme për sferën tonë të medias duhet të vazhdojnë. Theksojmë dhe rikujtojmë se janë shkelur të gjitha afatet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor të RTVM-së dhe Këshillit të AShMAA-s”,- thonë nga ShGM, duke potencuar se këto janë parakushtet, përmbushja e të cilave do të çonte deri në krijimin e ambientit në të cilin mediat private dhe Servisi Publik do të mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur, në interes të publikut.
ShGM kërkon nga Prokuroria Themelore Publike dhe nga të gjitha institucionet kompetente, hetim të shpejt dhe efikas që të kontribuojnë që të hiqet dyshimi tek publiku se institucionet veprojnë në mënyrë selektive dhe nuk punojnë në interes të qytetarëve. ShGM shpreh shqetësimin edhe për gjendjen e gazetarëve dhe punonjësve mediatik të punësuar në 1TV, të cilët për shkak të këtij skandali mund të mbesin pa punë. Zgjidhja e shpejt e këtij rasti do të jetë shumë e rëndësishme edhe për të ardhmen e tyre, thonë nga ShGM.
GYLTENE SINANI
