Maqedoni
Agjencia për mallrat e konfiskuara, 100.000 mallra u ndahen 26 institucioneve
18.07.2019 14:55
100 mijë mallra të konfiskuar e që gjendeshin në depot e Agjencisë për Menaxhim me pronë të konfiskuar...

100 mijë mallra të konfiskuar e që gjendeshin në depot e Agjencisë për Menaxhim me pronë të konfiskuar, u janë dhënë 26 institucioneve të ndryshme publike. Mes tyre ka veshmbathje, aparate për amvisëri, aparate për punë, televizorë etj.
“Të gjithë ato 100.000 mallra janë lëndë të plotfuqishme. Ka edhe lëndë që nuk janë të plotfuqishme, por ajo nuk varet prej nesh. Këto 100.000 rroba do t’u shpërndahen 26 institucioneve publike. U jepen shtëpive të shëndetit, bashkësive fetare. Numër i madh i jepet edhe institucioneve sociale, për çerdhe, shkolla dhe institucione tjera”,- tha drejtori i Agjencisë për menaxhim me pronë të konfiskuar, Faton Asani.
Veturat e konfiskuara, Asani: Procedurat zgjaten, në 2 vite ndamë mbi 300 vetura
Numri më i madh i mallrave të konfiskuara janë vetura. Asani theksoi se shumica e veturave janë në gjendje jo të mirë dhe duhet të shiten si hekurishte. Pjesa tjetër, sipas tij, u jepet institucioneve publike që kanë nevojë.
“Furgonin e fundit që e kemi rregulluar, e kemi sjellë në gjendje më të mirë, ia kemi dhënë shkollës së veçantë “Kliment Ohridski” në Novo Sellë. Ne si agjenci në dy vitet e fundit, institucioneve shtetërore u kemi dhënë mbi 300 vetura. Në këtë mënyrë buxhetin e shtetit e kemi kursyer për rreth 1 milion euro”,- tha drejtori i Agjencisë për menaxhim me pronë të konfiskuar, Faton Asani.
Edhe krahas numrit të madh të veturave të konfiskuara, nga agjencia thonë se nuk mund t’i shpërndajnë të gjitha për shkak të stërzgjatjes së procedurave gjyqësore ku duhet të vendoset se çdo të bëhet me këto vetura. Për momentin shpërndahen apo shiten si hekurishte vetëm mjetet për të cilat ka vendime gjyqësore.
BELINDA KOKA ADEMI
