Maqedoni
Proceset eurointegruese, Dimitrov: Greqia do të na mbështesë në tetor
18.07.2019 15:35
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, pret nga qeveria e re greke ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj eurointegruese....

Kjo përshtypje e ministrit Dimitrov vjen pas takimit të tij me anëtarët e qeverisë së re në Greqi, me të cilët pati rastin të takohet në kuadër të panel diskutimit të magazinës greke “Ekonomist”. Në intervistë për Agjencinë e lajmeve MIA, Dimitrov ka shfaqur mendimin se do të ketë mbështetje dhe ndihmë nga Greqia në tetor, kur do të vendoset për dhënien e datës për bisedime. Nuk duhet të ndodh bllokada nga Greqia, ka thënë Dimitrov.
“Jo vetëm që nuk duhet të frikohemi nga bllokada, por ndoshta do të kemi të drejtë të presim edhe ndihmë dhe mbështetje, sepse nuk ka asgjë jo natyrore nga mbështetja e fqinjit. Ata janë në BE, ne nuk jemi, dëshirojmë ta fillojmë atë udhëtim të rëndësishëm. Unë shpresoj se Greqia do të jetë mbështetëse e së ardhmes sonë evropiane dhe do të punojë në këtë drejtim”,- tha Dimitrov.
Edhe sa i përket zbatimin të Marrëveshjes së Prespës, Dimitrov thotë se ky dokument duhet të shihet si mundësi për një të ardhme më të mirë dhe interes për të dyja vendet. Me këtë, sipas tij, janë pajtuar edhe ministrat grekë, pjesëmarrës në debat.
“Marrëveshja është urë drejt miqësisë, por edhe partneritet strategjik. Është thelbësore në interes edhe të Greqisë jo vetëm në interes të Maqedonisë së Veriut. Mendoj se misioni ynë në këtë periudhë duhet të jetë i tillë, që të tregojmë se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe raportit drejt fqinjit tonë është mundësi, e nuk është barrë,- theksoi Dimitrov.
Në bisedë me korrespondenten e MIA-s në Athinë, Dimitrov ka shprehur nevojën që të punohet në ndërtimin e besimit mes dy shteteve, sidomos mes të rinjve, pasi që nga ky demokratizim, sipas tij, përfitojnë politikisht dhe ekonomikisht edhe Greqia edhe Maqedonia e Veriut.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
