Maqedoni

Takimi i liderëve, Dullovi: Të diskutohet vetëm për drejtësinë. Selimi: Dëshpëruese mospjesëmarrja e Mickovskit

18.07.2019 16:25

Kryeministri Zaev është i vendosur të mbajë takimin e liderëve të premten edhe përkundër refuzimit për pjesëmarrje të kreut të VMRO-së, Mickovskit...

Por, analistët e shohin me pesimizëm takimin e pritshëm. Për ta një takim i tillë shërben vetëm si argument shtesë që disa parti politike, në mungesë të ideve dhe vizioneve, të bëjnë bujë dhe zhurmë rreth dallimeve të kundërta që kanë liderët në mes tyre.
 
Për gazetarin, Lirim Dullovi, temat e paralajmëruara për takimin e ditës së premte, duhet të jenë sekondare dhe prioritet të ketë sistemi i gjyqësisë i cili aspak nuk funksion. 
 
“Unë mendoj se ky takim i liderëve në temë diskutimi duhet ta ketë vetëm një çështje, e ajo është sistemi i drejtësisë në këtë vend, i cili pas ngjarjeve, u pa qartë më se këtu nuk kemi kurrfarë sistemi të drejtësisë. Është moment i fundit që partitë shqiptare pjesëmarrëse në atë takim të liderëve ta hapin vetëm këtë temë dhe mos të dalin në asnjë temë tjetër, sepse kjo jo rastësisht është edhe vërejtja kryesore e Komisionit Europian, i cili disa herë ka konstatuar se në këtu nuk kemi fare sistem të drejtësisë dhe ai që është, është i kapur. Ky shtet nuk mund të ecë përpara nëse nuk rregullohen këto deformime në këtë sistem”,- tha botuesi i Gazetës “Koha”, Lirim Dullovi.
 
Për analistin, Sefer Selimi, mospjesëmarrja e liderit të opozitës maqedonase në këtë takim është dëshpëruese, për faktin se ligjet të cilat duhet të diskutohen janë me rëndësi të veçantë për perspektivën e shtetit. 
 
“Është dëshpërues fakti i mospjesëmarrjes së liderit të VMRO-DPMNE-së në këtë takim, duke pasur parasysh se të gjitha këto pika të cilat duhet të diskutohen janë me rëndësi jetike për zhvillimin demokratik, por edhe ekonomik të Maqedonisë së Veriut, por edhe për hapërimin e mëtutjeshëm në proceset eurointegruese të RMV, posaçërisht për konfirmimin përfundimtar të hapjes së negociatave në tetor të këtij viti”,- theksoi analisti, Sefer Selimi.
 
Në takimin e liderëve do të diskutohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Regjistrimi i popullsisë dhe Ligji për Prokurorinë Themelore që përcakton edhe fatin e PSP-së.
 
FITIM KRYEZIU