Maqedoni

Pendarovski për REL: “Zhvatja” nuk guxon të njollosë punën e PSP-së. Zhbogar: Gjeni zgjidhje për të ardhmen e PSP-së

18.07.2019 17:21

Presidenti, Stevo Pendarovski, thotë se veprimet individuale nuk duhet ta degradojnë ose shfuqizojnë punën e përgjithshme të PSP-së...

Në një intervistë për “Evropën e Lirë”, Pendarovski thekson se duhet të bëhet dallim mes hetimeve për rastin “ Zhvatja” dhe punës së prokurorëve të PSP-së.
 
Apelon te institucionet përgjegjëse që sa më shpejt të nisin hetimet, jashtë presioneve eventuale politike, sepse procesimi i lëndëve është i rëndësishëm si për PSP-në edhe për proceset demokratike të cilave duhet t’u nënshtrohet vendi.
 
“Puna e institucionit PSP deri në këtë moment dhe procedurat të cilat i kanë udhëhequr prokurorë të ndryshëm, jo vetëm Katica Janeva, janë një çështje, tërësisht tjetër është rasti i fundit për të cilin unë apeloj edhe nga kjo pozitë, sido që të kuptohet, deri te organet kompetente, ta procedojnë sa më shpejt dhe në mënyrë sa më të detajuar që të mos lë as njollën më të vogël në punën e institucionit si të tillë. PSP-ja ishte shumë e nevojshme në kohën kur i kemi bërë reformat demokratike. PSP-ja në ndonjë formë, në ndonjë pjesë të sistemit të Prokurorisë Publike, është e nevojshme edhe në periudhën e ardhshme, t’i ndjekë kriminelët, jo vetëm ata që kanë qenë në pushtet, por edhe neve që jemi sot në pushtet”,- u shpreh presidenti, Stevo Pendarovski.
 
Pendarovski rikujton se PSP-së është institucioni kyç i cili pas Marrëveshjes së Ohrit i hapi dyert vendit drejt BE-së dhe NATO-s. Edhe euroambasadori Zhbogar kërkon zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të PSP-së.
 
“Mendoj se ajo që momentalisht ka ndërmarrë Prokuroria Publike, është demonstrim i funksionimit të sundimit të së drejtës. Vetë fakti që jo vetëm PSP por edhe Prokuroria Themelore filloi të punojë me rastet e korrupsionit, tregon se ka përparim dhe kjo është gjë pozitive. Pres që liderët politikë, të cilët shpresoj se do të takohen nesër, do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për të ardhmen e PSP-së në suaza të Prokurorisë Publike”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Zhbogar konsideron se ngjarjet e fundit lidhur me rastin “Zhvatja” nuk duhet të kenë pasoja ndaj perspektivës europiane  të vendit.
 
SEDAT SELIMI