Maqedoni

VMRO-DPMNE: Takim liderësh vetëm për zgjedhje. LSDM: Mickovski punon kundër datës për bisedime

18.07.2019 17:44

Diskutimi i mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare është karremi i vetëm...

Diskutimi i mundësisë për zgjedhje të parakohshme parlamentare është karremi i vetëm i cili mund të ulë në tryezën e liderëve politikë edhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në takimin e thirrur nga kryeministri, Zoran Zaev, për të premten.
 
VMRO ka rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin se Mickovski nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve nëse nuk diskutohet kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
“Ashtu siç paralajmëroi, para pak ditësh, kryetari nuk do të paraqitet në takimin e liderëve. Dhe nëse ka ndonjë takim liderësh ai takim do të jetë vetëm për të biseduar për zgjedhje të parakohshme parlamentare”,- tha Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE.
 
Refuzimin për pjesëmarrje në takim, LSDM e interpreton si tendencë për të dëmtuar interesat shtetërore në kontekst të reformave dhe marrjen e datës për fillimin e bisedimeve.
 
“Mickovski ik nga takimi i liderëve, ik nga reformat, Mickovski ik nga opinioni. Mickovski është kundër drejtësisë, pasi misioni i tij i vetëm është mbrojtja e krimit të kryetarit të vërtetë të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskit. Mickovski i bën dëm shtetit dhe punon kundër datës për bisedime”, – thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, paralajmëroi se në takim do të hap për diskutim çështjen për regjistrimin e popullsisë, idenë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe pr/ligjin për Prokurori Publike.
 
Pjesëmarrjen në takimin e liderëve e ka konfirmuar BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. Sa i përket pr/ligjit për Prokurorinë Publike, BDI propozon institucion të veçantë që do të merret me krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, ndërsa kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, hodhi idenë që në krye të Prokurorisë Speciale të vihet një ekspert i huaj. 
 
SHPËTIM NUREDINI