Maqedoni

Janeva në pushim mjekësor, VMRO: Katica Janeva fshihet nga përgjegjësia

18.07.2019 18:09

Prokurorja speciale, Kataca Janeva, ka hapur pushim mjekësor që nga 16 korriku, konfirmojnë nga PSP...

Hapja e pushimit përkon me ditën kur Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion hapi hetimin për rastin "Zhvatja".
 
Sipas statusit aktual, Janeva mbetet shefe e Prokurorisë Speciale deri në mbarim të mandatit më 15 shtator. Dy të dyshuarit kryesorë mbeten në paraburgim, pasi gjykata hodhi poshtë ankesën e  tyre. Nga VMRO dyshojnë se Janeva është larguar nga vendi.
 
Opozita e akuzon Janevën se ka tre ditë që fshihet nga përgjegjësia, në një kohë ku merr mijëra euro pagë. Ripërsërisin akuzat se koka e “Zhvatjes” nuk është Janeva, por vetë kryeministri. 
 
“Shumë gjëra të palogjikshme që u thanë në opinion nga institucionet kompetente dhe qëndrimet e Zaevit, japin dyshime se kompetentët nuk do ta realizojnë hetimin deri në majën e kësaj organizate të zhvatjes. Askush nuk mund të bind opinionin se pa përkrahjen e zyrtarëve të lartë qeveritarë, Boki 13 vetë ka realizuar zhvatjen. Akoma nuk japin përgjigje se pse në kuadër të hetimit, Janevës i është marrë vetëm telefoni, por vetëm njëri. Pse pas gjithë kësaj ajo akoma është në krye të PSP-së, ku mund të ndikojë në dëshmitarë dhe dëshmi”,- tha Blagica Lasovska nga VMRO-DPMNE. 
 
Telefoni celular i kryeprokurores u konfiskua në suaza të hetimit në rastin "Zhatja" për të vërtetuar komunikimin eventual me të dyshuarit, Bojan Jovanovski dhe Zoran Millevski-Kiçec, që  dyshohen se kanë marrë shpërblim nga një person i dyshuar, duke premtuar ndikim mbi prokurorë publikë, me qëllim të lehtësimit të procedurës aktuale të hetimit ndaj tij.
 
Kryeministri Zaev ka pohuar tashmë se në adresë të tij kanë arritur ankesa nga biznesmenët e shantazhuar dhe ka kërkuar madje që ata të dorëzojnë në prokurori dëshmi nëse posedojnë.
 
Zaev megjithatë apelon që të pritet përfundimi i hetimeve për t’u vërtetuar nëse kryeprokurorja speciale është keqpërdorur apo është e involvuar drejtpërdrejt në këtë rast. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI