Maqedoni
Disbalanci në zhvillimin e komunave, Qeveria mbështet me projekte zonat rurale
18.07.2019 18:33
Në Maqedoninë e Veriut vërehet një disbalanc i madh në zhvillim mes qytetit të Shkupit me qytetet e tjera...

Në Maqedoninë e Veriut vërehet një disbalanc i madh në zhvillim mes qytetit të Shkupit me qytetet e tjera, e sidomos me zonat e thella rurale.
Kjo në të ardhmen mund të ndikojë keq në zhvillimin ekonomik të vendit. Andaj, sipas qeverisë, përkrahja e zonave rurale është me rëndësi të veçantë.
“Në qoftë se vazhdojmë të zhvillojmë vetëm disa qendra të mëdha, apo të themi Shkupin si kryeqytet dhe disa qytete më të mëdha, atëherë do të na ndodh që në fund të mos kemi shtet me zhvillim të balancuar, por do të kemi popullsi të koncentruar në qytete, e cila nuk është cak i askujt”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Për të mundësuar zhvillim të barabartë, qeveria do të financojë projekte specifike për komunat në zona të thella rurale.
“Këtë vit do të financohen 35 projekte për zhvillim të fshatrave në vlerë të përgjithshme prej 41.3 milion denarë në të gjitha rajonet planore. Për zhvillim të vendbanimeve me nevoja të veçanta do të financohen nëntë projekte në vlerë prej 82.5 milion denarë”,- u shpreh ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski.
Sipas kryetarëve të komunave, nëpërmjet këtyre projekteve përmirësohet cilësia e jetesës edhe e banorëve të cilët jetojnë në vise më të larta rurale.
“Kemi kërkuar shumën prej 3 milion e 200 mijë denarësh, e cila është aprovuar në tërësi dhe në të njëjtën kohë kjo do të jetë një lehtësim serioz për qytetarët e komunës dhe për qytetarët e fshatrave të cilëve u dedikohet kjo rrugë”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Projekti i rrugës lokale është shumë i rëndësishëm për qytetarët që jetojnë atje dhe për t’i mbajtur ata në vendbanimet fshatare. Unë jam i bindur se këto mjete do të shfrytëzohen në mënyrë të vërtet dhe për projekte të vërteta”,- u shpreh kryetari i komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski.
Mes projekteve që janë pranuar, siç njoftoi drejtori i Byrosë për zhvillim rajonal, Ramiz Rexhepi, është edhe ai për rekonstruimin e objektit të komunës së Haraçinës.
Është hedhur poshtë aplikimi i komunës së Studeniçanit, për shkak të mungesës së dokumentacionit.
ERSAN PAJAZITI
