Maqedoni

Rasti “AKMIS”, Pançevski largohet nga Gjykata Penale. Gjykata Penale: Pançevski nuk erdhi ta marrë vendimin

18.07.2019 19:51

Ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski, është ankuar se mëngjesin e sotëm është larguar nga zyra e tij dhe ndërtesa e gjykatës...

Në profilin e tij në facebook, Pançevski ka shkruar se për largimin nga gjykata nuk ka marrë kurrfarë vendimi dhe as që është informuar për çfarëdo procedurë të ngritur ndaj tij.
 
“Ja edhe këtë e prita, që në mëngjes të largohem si leckë nga zyra dhe ndërtesa e gjykatës. Polici i gjykatës erdhi që ta mbyll zyrën, ndërkaq unë as vendim s’kam marrë dhe zyrtarisht s’jam informuar. Kështu funksionon ky sistem kriminel? Ky është falënderimi që më pas pas 24 viteve përvojë pune, prej të cilave 11 vite në Gjykatën Penale me rezultate më të mira të shënuara. Lavdi i qoftë Zoran Zaevit dhe Radmilla Sheqerinskës”,- shkroi Pançevski në profiling e tij.
 
Ndaj këtij statusi ka reaguar Gjykata Penale.
 
“Këshilli Gjyqësor ka vendosur për pezullimin e gjykatësit, ndërkaq i njëjti mëngjesin e sotëm nuk është paraqitur në gjykatë që ta marrë vendimin”,- thonë nga Gjykata Penale.  
 
Këshilli Gjyqësor dje vendosi që të pezullojë nga puna Pançevskin, i cili akuzohet për trukim të lëndëve gjatë kohës kur ishte kryetar i Gjykatës Penale. 
 
Sipas aktakuzës, Pançevski i ndante lëndët tek gjykatësit e besuar, duke anashkaluar sistemin AKMIS.
 
MERAL ISMAILI