Maqedoni

Aksion në Çair, largohen nga trotuaret shitësit ilegalë

19.07.2019 13:03

Autoritetet e komunës së Çairit në bashkëpunim me Stacionin policor “Bit Pazar”...

Autoritetet e komunës së Çairit në bashkëpunim me Stacionin policor “Bit Pazar”, mëngjesin e kësaj të premteje kanë realizuar aksion për largimin e shitësve ilegalë që kanë qenë të vendosur nëpër trotuare. Aksioni në fjalë nga autoritetet njoftojnë se është realizuar në dy lokacione këtu në Çair dhe në Bit Pazar.
 
TVM2 ishte në vendin e ngjarjes derisa Inspektorati i tregut me ndihmën e policisë po zbatonte aksionin për largimin e shitësve ilegalë. Këta të fundit, të revoltuar, hodhën në kazanët e plehrave dhe në rrugë prodhimet e tyre në shenjë proteste ndaj këtij aksioni. E derisa shumica e tregtarëve nuk donin të flisnin para kamerës sonë, e vetmja shitëse e moshuar u ankua se ka dalë për të siguruar bukën e gojës. Jashtë kamerës edhe të tjerët na thanë se shesin në rrugë se nuk kanë as punë tjetër e as mundësi për të paguar për tezgat brenda tregut.
 
“Jam pa pension, rri gjatë gjithë kohës këtu me lule dhe buqeta të cilat i nxjerr nga kopshti im. Askujt nuk i pengoj”,- tha një shitëse ambulante.
 
Nga komuna e Çairit theksojnë se aksioni për lirimin e hapësirave për qarkullim është kërkuar me këmbëngulje nga qytetarë të shumtë të komunës të cilët gjithashtu kanë të drejtën e qarkullimit të lirë në rrugë e trotuare. Gjithashtu me këtë aksion mbrohen edhe tregtarët që paguajnë tatimet brenda tregut të Çairit, që gjithashtu ankohen nga konkurrenca ilegale.
 
“Duke pasur parasysh lirimin e hapësirave të destinuara për qarkullimin e lirshëm të qytetarëve, Inspektorati i komunës së Çairit, Inspektorati i tregut dhe sektori për punë të brendshme në qytetin e Shkupit, respektivisht stacioni policor i “Bit Pazarit”, po realizojnë aksionin e largimit të shitësve të cilët pa leje po realizojnë veprimtarinë e tyre tregtare nëpër vende joadekuate. Me këtë hap, përveç që bëjmë lirimin e hapësirave, njëherit mbrojmë edhe konkurrencën legale, respektivisht tregtarët që realizojnë detyrimin e tyre për pagesën e tatimit”,- theksoi zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla.
 
Nga komuna e Çairit njoftojnë se aksione të ngjashme do të zhvillojnë në vazhdimësi me qëllim që qytetarëve dhe makina që gravitojnë në këtë komunë, t’iu mundësohet qarkullim i lirshëm.
 
ZEKIRJA MEXHITI