Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, Ruskoska: Janë shantazhuar edhe afaristë tjerë
19.07.2019 14:21
Të dyshuarit në rastin “Zhvatja” kanë shantazhuar edhe afaristë të tjerë, përpos afaristit, Orce Kamçev...

Prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska, për “Dojçe Velen” ka thënë se Prokuroria Publike ka njohuri edhe për raste të tjera të shantazhimit pa zbuluar numrin. Tanimë disa afaristë edhe kanë dhënë deklarata në prokurori.
“Kemi njohuri edhe për raste të tjera, por s’mund t’iu them se për sa persona bëhet fjalë. Ata persona dhanë deklarata dhe tani kërkojmë prova që t’i vërtetojmë deklarimet”,- ka deklaruar Ruskoska.
Sipas Ruskoskës, afaristët kanë dëshmuar se janë shantazhuar nga Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski. Momente të reja në hetim nuk ka, ndërkaq vazhdon ekspertiza e telefonit të Janevës të cilin ia morën të hënën, pas dyshimeve për përfshirje eventuale në vepër.
Nga PSP janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim në zbardhjen e rastit “Zhvatja”. Ruskoska thotë se ende nuk kanë kontaktuar prokurorë të tjera nga Specialja. “Fillimisht t’i analizojmë dëshmitë dhe më pas do të shohim”,- thotë Ruskoska.
Dy të dyshuarit, Jovanovski dhe Milevski, janë në arrest 30-ditor pas dyshimeve se kanë shantazhuar afaristin, Orce Kamçev, i cili ndiqej penalisht nga Prokuroria Speciale. Jovanovski i ka marrë 1.5 milion euro duke i premtuar lirimin nga aktakuza nëpërmjet Katica Janevës.
MERAL ISMAILI
