Maqedoni
Merko delegon kompetencat në urbanizëm, akuzon se Struga sulmohet për të mbuluar Ohrin
19.07.2019 17:45
Duke mos qenë më në gjendje, siç thotë, të përballet me sulmet politike dhe mediatike ndaj qytetit dhe komunës që drejton...

Duke mos qenë më në gjendje, siç thotë, të përballet me sulmet politike dhe mediatike ndaj qytetit dhe komunës që drejton, kreu i Strugës, Ramiz Merko, ia ka deleguar institucioneve qeveritare kompetencat e urbanizmit, në pjesën e dhënies së lejeve për ndërtim, legalizim të objekteve, koncesioneve dhe zbatimin e vërejtjeve nga UNESKO.
Në letrën drejtuar kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrit të transportit, madje edhe ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të brendshme bashkë me zëvendësit e tyre, Merko vlerëson se kundër tij dhe qytetit të Strugës udhëhiqet fushatë negative, me qëllim, siç thotë, mbulimin e ndërtimeve pa leje në Ohër dhe rreziku i cili vjen me marrjen e statusit qytet i mbrojtur nga UNESKO i qytetit dhe liqenit të Ohrit.
“Struga dhe qytetarët e saj tashmë një kohë të gjatë janë të nënshtruara në sulme politike dhe mediatike të vazhdueshme dhe të paarsyeshme, se gjithçka që punohet në Strugë është jashtë dispozitave ligjore të interesave të shtetit, gjegjësisht interesave të UNESKO-s. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve bashkë me Komisionin e UNESKO-s, refuzojnë që të sjellin çfarëdo lloj ndryshimi për planet e detajuara urbanistike në të gjithë territorin e komunës së Strugës dhe me qëllim bllokojnë zhvillimin ekonomik të qytetit”,- qëndron në letrën e Merkos deri te ministrat e dikastereve ku sqaron se që me rikthimin në krye të komunës nuk është ndërtuar asnjë ndërtim pa leje, më së paku është bërë uzurpim i tokës shtetërore apo dëme ekologjike në qytet.
“Eko Guerilla”: T’i merren kompetencat në urbanizëm Komunës së Tetovës
Teksa Merko dorëzon vetë kompetencat për lejet ndërtimet dhe legalizimet, në Tetovë “Eko Guerilla” i kërkon kryeministrit t’ia marrë kompetencat komunës së Tetovës. Akuzojnë autoritetet komunale se kanë dështuan në menaxhim.
“Tetovës përditë e më shumë i zvogëlohen edhe ato pak hapësira të gjelbra që kanë mbetur. Shembulli i fundit, siç mund ta shihni edhe në video, është shkatërrimi dhe uzurpimi i hapësirave publike të gjelbërua në qendër të qytetit, përgjatë rrugës “Boris Kidriç”. Deri sa parqet dhe hapësirat që janë pronë e të gjithë qytetarëve e po betonohen, komuna hesht dhe nuk ndërmerr asgjë për të parandaluar”,- theksoi Arianit Xhaferi nga “Eko Guerilla “
Zaev: Është në pyetje sundimi i ligjit
Por, vetë Zaev thotë se nuk ka marrë ende asnjë letër nga Merko. Ndërsa për kërkesën për marrjen e kompetencave në Tetovë dëgjon për herë të parë.
“Unë nuk e kam marrë ende letrën nga z. Merko, kam dëgjuar vetëm se Ohri dëshiron të na delegojë përgjegjësitë në ndërtim. Është në pyetje sundimi i ligjit, rrënimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme që nuk kanë të drejtë për legalizim. Por, së pari, me rëndësi është që fillimisht t’i ndjekim procedurat për marrje të ingerencave. Për komunën e Tetovës dëgjoj për herë të parë, por do ta shoh këtë kërkesë. Qeveria nuk mund të përzihet në çdo aspekt. Komuna është qeveri në vete dhe nuk mund të ndikojmë aty ku ka institucione kompetente”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Vetë komuna e Tetovës ndërkohë nuk ka dashur t’u përgjigjet akuzave të “Eko Guerilës”.
GAZMEND REXHEPI
