Botë

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, dorëhiqet Haradinaj, para Speciales shkon Ramushi

19.07.2019 18:10

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i kryeministrit të Kosovës....

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni  i kryeministrit të Kosovës, pas thirrjes për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar për krime të luftës. Bashkë me aktin e dorëheqjes, kryeministri, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ka paralajmëruar edhe zgjedhje të parakohshme.
 
“Pas kësaj dorëheqje, mandatin ia kthej sovranit popullit, jo të tjerëve, por sovranit popullit dhe populli të vendos si do e çon mëtutje. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta deri në formimin e Qeverisë së re. Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por, s’kam mundur ta çoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë, sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”,- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
 
Haradinaj megjithatë ka nënvizuar se taksa 100% ndaj Serbisë do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
 
FLUTURA LATIFI