Maqedoni

ATO ndjek 159 numra, Angellovski: Nuk ka më përgjime pa vendim gjyqi

19.07.2019 18:23

Agjencia Teknike Operative përgjon aktualisht 159 numra, të gjitha të mbuluara me vendime gjyqësore....

Nga ATO sigurojnë se nuk ka më përgjime ilegale. Të dhënat për punën e tyre i prezantuan para anëtarëve të Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e ndjekjes së telekomunikimeve. Megjithatë, nuk ka ende një ekspert që do të mund të konstatonte në aspektin teknik nëse ATO punon sipas ligjit. Deputetët u mjaftuan me fjalët e drejtorit Zoran Angellovski, se askush në ATO nuk e di se të kujt janë numrat që përgjohen me vendim gjykate.
 
“ATO nuk ka qasje tek identiteti i personit i cili duhet të ndiqet sipas ligjit, sepse vendimet gjyqësore të cilat vijnë deri tek ne nga Gjykata janë anonim. Nëse Gjykata dhe Prokuroria vendosin që të aktivizohen masat PIN, atëherë agjencia i vendos ato,  por nuk mund të dinë se për kë bëhet fjalë. Ne vetëm mund të shohim vendimin e gjykatës dhe personi X për të cilën vepër akuzohet, po ashtu na jepet edhe afati se prej kur deri kur duhet të ndiqet ai  numër. Sikur të kishte ekspert teknik, më lehtë do të ishte të dëshmohet se nëse puna jonë po kryhet në bazë të rregullave ligjore të cilat janë të definuara”,- tha drejtori i ATO-s, Zoran Angellovski. 
 
Dimitriev: Të vendosim rregull në dukurinë e përgjimeve
 
Angellovski pohoi se nuk përjashtohet mundësia që në duart e individëve të caktuar të ketë biseda të përgjuara jashtëligjore, që po paraqet një rrezik për sistemin. Me këtë u dakordua kryetari i Komisionit Parlamentar, Emil Dimitriev, i cili pohoi se çështja e bisedave të përgjuara është nënvlerësuar aq shumë sa biseda të tilla mund të gjenden edhe në treg. 
 
“Të gjitha partitë politike pësuan nga të ashtuquajturat “BOMBA”, dhe jo vetëm partia të cilën e përfaqësoj. Prandaj përpjekjet tona, por këto duhet të jenë edhe të gjithë juve, dhe shoqërisë në përgjithësi që kësaj dukurie t’i vendoset një rregull. Është koha që të gjitha përgjimet të cilat janë me procedurë gjyqësore, duhet të trajtohen në organet e drejtësisë, ndërsa pjesa tjetër duhet të trajtohet ashtu siç parashohin ligjet”,- theksoi kryetari i Komisionit parlamentar për ndjekje të komunikimeve, Emil Dimitriev.
 
Dimitriev apeloi kryetarin e Kuvendit që ta përshpejtojnë procedurën për punësimin e ekspertit teknik, i cili është vendimtar për kontrollin teknik dhe duhet të konstatojë nëse në ATO  bëhen ose jo përgjime jolegale. Në vitin 2019 ATO-ja ka pasur qasje për përgjim sinjali të 258 numrave telefonikë. 
 
FITIM KRYEZIU