Maqedoni
“Zhvatja”, VMRO-DPMNE: Cili ent shëndetësor i dha raport Janevës dhe pse?
19.07.2019 18:49
VMRO opozitare këmbëngul se kryeprokurorja speciale Katica Janeva mban përgjegjësi për rastin zhvatja, dhe duhet të përgjigjet...

Dorëheqja e saj nuk është zgjidhje e problemit. Janeva mund ta përsërisë sërish veprën, të lëshojë vendin apo të ndikojë tek dëshmitarët thonë nga VMRO. Opozita kërkon të vërtetohet edhe se kush i hapi pushim mjekësor Janevës dhe pse.
“Si është e mundur që prokurorja speciale Katica Janeva të sëmuret në po të njëjtën ditë kur doli ky skandal, e dy ditë më vonë të mësojmë se ka hapur pushim mjekësor? Cili ent shëndetësor ia ka dhënë pushimin mjekësor dhe a e ka kontrolluar Komisioni nga Fondi Shëndetësor besueshmërinë e raportit mjekësor”,- deklaroi Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE.
VMRO akuzon kryeprokuroren speciale, Katica Janeva, se për më pak se 4 vjet ka marrë rreth 150 mijë euro nga paratë e qytetarëve. E meqë kjo nuk i ka mjaftuar, ajo u përfshi edhe në skandalin e zhvatjes, së bashku me funksionarët e LSDM-së, akuzon opozita.
VMRO simbolikisht i ka dhuruar Janevës një çantë të falsifikuar të markës “Luis Viton”, duke shprehur keqardhjen ironike që nuk mund t’i blejnë origjinalen, si ato me të cilat janë mësuar të dyshuarit në rastin “Zhvatja”.
VLORA LATIFI
