Masakra e Srebrenicës, Gjykata Supreme: Holanda, pjesërisht fajtore
Holanda është pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e 350 boshnjakëve në masakrën e Srebrenicës, në korrik të vitit 1995...

Përfundimi i tillë u arrit nga Gjykata Supreme e Holandës, e cila megjithatë ka ulur përqindjen e përgjegjësisë.
Edhe pse fillimisht Gjykata e Apelit vendosi se ushtarët holandezë ishte 30% fajtorë për këto vrasje, vendimi i fundit e ul drastikisht në vetëm 10% këtë shifër, meqë sipas Supremes, aq ka qenë shkalla e mundësisë që ushtarët të mund të kishin parandaluar vrasjet.
“Nëse forcat holandeze u dhanë mundësi këtyre burrave të qëndrojnë aty, ka pasur vetëm 10 % mundësi që ata të mos bien në duart e forcave serbe, dhe për këtë arsye shteti holandez duhet të jetë përgjegjës vetëm për atë pjesë të dëmit”, deklaroi gjykatat.
Në 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra myslimanë në qytetin e Srebrenicës. Kur ndodhi kjo masakër, ushtarët holandezë ishin përgjegjës për ruajtjen e një zone të sigurisë së OKB-së.
Në vitin 2002, një raport për rolin e Holandës në Srebrenicë bëri që e gjithë qeveria holandeze të jepte dorëheqjen.
