KULTURË

Promovohet libri “Perandorët” nga Majlinda Nana Rama

09.09.2014 13:17

Në “Librarinë e Çarshisë” në Shkup, u bë promovimi i romanit “Perandorët” i autores Majlinda Nana Rama , i botuar pak muaj më parë nga Shtëpia Botuese “Toena” in cili u prit mjaft ngrohtë nga lexuesi ne Maqedoni......

Vetë autorja Rama, ka theksuar se romani i saj, është pritur mirë nga mediet dhe kritika letrare. Kjo për faktin se bëhet fjalë për një roman që trajton një temë të ndjeshme dhe të prekshme nga të gjithë, tranzicionin e dhimbshëm shqiptar që po zgjat tash mbi 20 vjet.

“Përcaktimi që romanin ta pagëzoj me titullin “Perandorët” lidhet me personazhet e romanit, që janë njerëz nga shtresa e pasuruar rishtas, e pagdhendur  dhe e paskrupullt në shoqërinë shqiptare. Ata janë “perandorë” pasi që e kanë mbërthyer shoqërinë shqiptare duke ia zgjatur asaj makthin nga i cili nuk po mund të çlirohet tash sa vite”, thotë autorja.

Të pranishem ishin shumë krijues dhe kritikë por edhe dashamirë të shumtë të librit.  Romani “Perandorët” është cilsuar si më i suksesshmi në këtë kohë nga kritiket letrar. Sipas tyre Majlinda Nana Ramaj në romanin e saj ka bërë një depërtim në jetën e shqiptarëve gjatë kohës së tranzicionit, duke përshkruar me një gjuhë moderne realitetin shqiptar aktual.

Autorja e sheh këtë realitet pa shumë optimizëm. Por, si rrëfim letrar, autorja përdor mjete shprehëse me të cilat abstragon rrëfimin trivial të vendosur në një vend konkret duke i dhënë atij karakter më universal.

Majlinda Nana Rama, ka lindur në Tepelenë, më 27 maj 1980. Në vendlindje ka marrë dhe mësimet e para e ato të mesme. Më pas, gjatë viteve 1998 - 2002, ka kryer studimet e larta për letërsi dhe gjuhë shqipe dhe më pas ka përfunduar studimet në fakultetin e dytë, atë të Shkencave Politike në degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare”.

Aktualisht vazhdon studimet Master për Komunikim Politik. Ka punuar si Kryeadministratore e Shërbimit Social për Ndihmat Ekonomike dhe Paaftësinë. Ka punuar më vonë si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Prej disa vitesh jep kontributin e vet në mediat pamore dhe ato të shkruara.

Ka botuar vëllimet poetike: “Merrma lotin peng” dhe “Hënë e qiellit tim” dhe sprovën në prozë “…por gjyqi vazhdon…”. Ka në proces romanin “Yasmina”. Është përfshirë në Antologjinë Poetike “Korsi e hapur” ku janë përfshirë 270 autorë nga vendi e bota, botim i vitit 2008. (Ardita Imeri, TVM2)