AUSTRALI

Australi: Peshkaqeni sulmon 50 vjeçarin

09.09.2014 15:37

Një 50 vjeçar australian ka gjetur vdekjen pasi është sulmuar nga një peshkaqen i bardhë teksa notonte në një plazh në Byron Bay në bregun lindor të Australisë.......

Sipas zyrtarëve të Policisë, 50 vjeçari po notonte vetëm 20 metra larg bregut, kur një peshkaqen e kishte kafshuar në këmbën e majtë, duke e dëmtuar rëndë. Një person që ndodhej në zonën e plazhit u përpoq që ta shpëtonte 50 vjeçarin duke e nxjerrë atë nga uji në rërë, por ai kishte vdekur. Ai tha se kishte parë një peshkaqen dy metra të gjatë që po masakronte viktimën.

"Mu duk sikur pashë disa alga deti, por ato ishin gjak në ujë"- tha ai.

"Familja e viktimës është  njoftuar. Fatkeqësisht gruaja e tij ishte në plazh në kohën kur bashkëshorti i saj u nxor i vdekur nga uji.  Ai kishte pësuar disa lëndime të rënda në këmbën e djathtë. Ne jemi ende në pritje të një përgjigjeje të qartë  pas obduksionit të trupit"- deklaroi inspektorja e Policisë, Bobbie Cullen.

Shërbimi i Ambulancës nuk përjashton mundësinë e një arresti kardiak gjatë kohës që 50 vjeçari ka qenë duke notuar.

Policia dhe Shërbimet e Emergjencës filluan menjëherë kërkimet për të gjetur peshkaqenin dhe zbuluan një peshkaqen të bardhë në afërsi të vendngjarjes.

Kjo ngjarje tronditi gjithë vendin. Sulmi i fundit nga një peshkaqen në këtë zonë ka ndodhur në vitin 1993. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)