Propozim-ligji për prokurorinë publike, Arsovski: Propozim ligji po finalizohet
Nga VMRO-DPMNE thonë se akoma janë duke analizuar propozim-ligjin për Prokurorinë Publike....

Nga VMRO-DPMNE thonë se akoma janë duke analizuar propozim-ligjin për Prokurorinë Publike të cilin e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev, teksa po finalizojnë edhe propozim-ligjin e tyre.
VMRO-DPMNE mbetet kundër emërimit të Vilma Ruskoskës në krye të prokurorisë së re. Nga kjo parti nuk kanë propozuar emër konkret por për pasuesin e Katica Janevës thonë se duhet të ketë konsenzus midis partive.
“Propozim ligji po finalizohet. Që moti kohë ka filluar që të përpilohet nga ana e organeve juridike të partisë tonë. Megjithatë, në momentin kur të mbarojmë me analizën e ligjit që është propozuar nga ana e Zoran Zaev, atëherë do të dalim menjëherë me propozim-ligjin tonë, pra me gjithë konceptin tonë” – tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
LSDM: MICKOVSKI NUK MUND TË MBROJË KRIMIN E GRUEVSKIT
Nga LSDM ndërkohë thonë se me propozim ligjin e ri për prokurorinë kanë dëshmuar se krimi nuk njeh përkatësi partiake. Sipas tyre VMRO-DPMNE po mbron krimin.
“LSDM dëshmoi se te ne krimi nuk njeh ngjyra partiake. Propozim-teksti i ri për ligjin për Prokurori Publike është edhe një konfirmim tjetër për këtë. Mickoski dhe VMRO-DPMNE e mbrojnë krimin ndërsa LSDM-ja pa kompromis lufton kundër krimit dhe korrupsionit. Të gjitha rastet që janë para gjykatave, për të cilat PSP është kompetente në pajtim me ligjin, do të vazhdojnë. Ata do ti përfaqësojë Prokuroria e re publike. Përgjegjësi për të gjitha këto lëndë do të ketë” thuhet në njoftimin e LSDM-së.
Ndryshe për BDI, propozim-ligji i për prokurorinë, i propozuar nga Zaev është bazë e mirë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, teksa nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kryeprokurori duhet të jetë njeri i deleguar nga BE-ja. (Naim Ramadani, TVM2)
