Botë
Londër, Boris Johnson favorit për kryeministër
22.07.2019 10:55
Britania e Madhe pritet të njohë brenda pak orëve emrin e kreut të ri të qeverisë dhe konservatorëve në vend...

Boris Xhonson kryeson bindshëm në sondazhe kundrejt rivalit Xheremi Hant, por kolegë të partisë dhe aktivistët kundër Brexit e kundërshtojnë kandidaturën e tij.
Boris Xhonson pritet të shpallet të martën kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe. Votat e 160 mijë anëtarëve të partisë për të dhe rivalin Xheremi Hant do të dorëzohen sot ne oret e pasdites.
Sondazhet tregojnë se në garën për kreun e Partisë Konservatore angleze, 55-vjeçari Xhonson mbetet favoriti, ndërsa shanset që të fitojë kundërshtari i tij janë vetëm 1 në 15.
Dy rivalët prej më shumë se një muaji kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre për çështjen më urgjente me të cilën përballet vendi, që është shkëputja nga Bashkimi Europian më 31 tetor. Nga ana tjeter, kancelari britanik, Philip Hammond, ka paralajmëruar dorëheqjen nga pozita nëse Boris Johnson zgjidhjet kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.
Ai shtoi se Brexit-i pa marrëveshje, të cilin si opsion e ka lënë të hapur Johnson, nuk është "vendim që do ta nënshkruaja".
Hammond theksoi se është me rëndësi që kryeministri i ardhshëm dhe kancelari të jenë në vijë të njejtë të politikave për Brexit-in.
Boris Xhonson, i cilësuar si Donald Trampi britanik, ka premtuar të realizojë Brekzit në datën e përcaktuar me ose pa një marrëveshje të re me Brukselin.
