Maqedoni

Jashari takoi përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut

09.09.2014 16:48

Përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut kanë paraqitur sugjerimet dhe vërejtjet për të gjitha Amendamentet Kushtetuese...

Përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut kanë paraqitur sugjerimet dhe vërejtjet për të gjitha Amendamentet Kushtetuese të cilat propozohen nga Qeveria, të cilat tanimë janë në procedurë parlamentare.
 
Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, pas takimit me përfaqësuesit e Komisionit të Venedikut.
 
Sipas Ministrit, anëtarët e Komisionit të Venedikut vërejtjet e tyre, rekomandimet apo sugjerimet do t’i përgatisin deri më 27 shtatorë dhe do t’i publikojnë në seancën e tyre të 10 tetorit.
 
“Ata kishin në një farë mënyre vërejtje për të gjitha Amendamentet Kushtetuese. Në parim u dakorduam që pas mbledhjes apo seancës së Komisionit të Venedikut, të njëjtat qëndrime në formë të shkruar të shpallen dhe t’i dorëzohen Ministrisë së Drejtësisë, me çka Ministria e Drejtësisë do të bëjë një analizë thelbësore dhe mbi bazën e kësaj analize do të marrë qëndrime në lidhje me këto sugjerime, vërejtje apo rekomandime. Vërejtjet, sugjerimet e Komisionit të Venedikut në aspektin formalo-juridik nuk janë të obligueshme, kanë karakter këshillëdhënës, megjithatë si një Shtet që aspiron të jetë anëtarë i Unionit Evropian, unë vlerësoj se duhet marrë parasysh qëndrimet dhe sugjerimet konstruktive”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
 
Ministri Jashari, gjithashtu tha se qëndrimin mbi vërejtjet e Komisionit të Venedikut do ta ndërtojë pasi këto rekomandime, vërejtje apo sugjerime të Komisionit të shpallen publikisht. 
 
BESIM ABDULLAI