Maqedoni
Gjendja faktike në 1TV, ASHMAA: Nuk dezinformojmë, kërkojmë informatë nga MPB
22.07.2019 12:55
Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, si trup rregullator i mediave...

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, si trup rregullator i mediave, ka filluar procedurën për të konstatuar nëse në televizionin 1TV është shkelur dispozita ligjore e cila ndalon bashkim të fshehtë.
Në këtë kontekst, theksojnë nga kjo Agjenci, është edhe deklarata e drejtorit të ASHMAA-së, Zoran Trajçevski, në emisionin “Kod”, ku ai në mënyrë të qartë thekson se pritet përgjigje nga MPB në mënyrë që të konstatohet e vërteta rreth informative të pranuara.
“Agjencia iu drejtua MPB-së për të kontrolluar informacionet se personit Bojan Jovanovskit i është caktuar sigurim si pronar i 1TV. Siç edhe është e ditur në opinion, Rregullatori ka filluar procedurë për të konstatuar nëse është shkelur dispozita ligjore, e cila ndalon bashkim të fshehtë. Për ta konstatuar gjendjen faktike, Agjencia iu drejtohet organeve shtetërore të cilat mund të kenë informata me rëndësi për procedurën. Mënyra më efikase për luftë kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme është kontrollimi i fakteve. Pikërisht për këtë arsye, derisa procedura nuk mbyllet, Agjencia do të vazhdojë të kërkojë informata nga institucionet kompetente. Sa i përket informatës së kërkuar nga MPB, shpresojmë se ajo do të na jepet me shpejtësinë e njëjtë me të cilën u përgatit demanti i djeshëm”,- thuhet në kumtesën e Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale.
Reagimi vjen pas demantit që MPB i bëri një ditë më parë deklaratës së drejtorit të ASHMAA-së, Zoran Trajçevski, se Bojan Jovanovski ka pasur sigurim zyrtar nga MPB për shkak të kërcënimeve të marra pas emetimit të emisionit “Insajder”.
MPB e cilësoi këtë deklaratë si joprofesionale dhe joetike, madje akuzoi Trajçevskin se po shpërndan dezinformata.
VLORA LATIFI TOPOJANI
