Maqedoni
Zhbogar: Mbështesim PTHP–në në luftën ndaj korrupsionit
22.07.2019 15:13
Euroambasadori, Samuel Zhbogar, vlerëson se rasti “Zhvatja”...

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, vlerëson se rasti “Zhvatja” tregoi se Prokuroria Themelore Publike po tregohet e denjë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, duke treguar nivel të lartë të profesionalizmit.
“Fillimisht po mundohem ta shoh rastin nga pikëpamja pozitive dhe konsideroj se ky rast tregon se Prokuroria Publike po lufton kundër korrupsionit, se vendos praktikë gjyqësore në aspekt të luftës së korrupsionit në nivel të lartë. E mbështesim Prokurorinë Publike që të jetë më e angazhuar dhe të punojë në raste të këtilla”,- theksoi ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Fati i PSP-së, Zhbogar: Institucionet funksionojnë, s’ka arsye për krizë
Për të nuk ka arsye për krizë politike, institucionet funksionojnë dhe vetë PSP-ja gjithashtu. Pohon se dorëheqja e Janevës u shoqërua me shumë spekulime, por PSP do të vazhdojë të punojë deri më 15 shtator, deri atëherë ka kohë të mjaftueshme që partitë politike të mendojnë se si do të vazhdojë puna e Speciales.
“Mendoj se nuk ka arsye për krizë politike, institucionet funksionojnë, Prokuroria Publike është në funksion, funksionon edhe vetë Prokuroria Speciale. Është e vërtetë që prokurorja Janeva dha dorëheqje. Megjithatë, PSP do të funksionojë deri më 15 shtator, deri atëherë ka mjaft kohë që liderët politikë të mendojnë se në çfarë mënyre do të vazhdojë punën Prokuroria Speciale. Njëra nga mundësitë është që të integrohet në kuadër të Prokurorisë Publike, por ka kohë që e gjithë kjo të zgjidhet”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Për euroambasadorin Zhbogar, Prokuroria Speciale ishte shumë e dobishme për rastet që i ndërmori, aty është koncentruar ekspertizë e madhe, dituri e madhe edhe te prokurorët edhe te hetuesit, dhe ai vlerëson se kjo njohuri duhet të shfrytëzohet edhe më tej. Tani Prokuroria Publike do ta bëjë punën e vet, por më vonë në njëfarë mënyre do të mundet që Specialja të integrohet dhe të funksionojë, tha Zhbogar nga Novaci, ku vizitoi projektet e realizuara nga pushteti lokal.
BELINDA KOKA ADEMI
