Maqedoni
Komiteti i Helsinkit: Në rritje numri i veprave penale nga urrejtja
22.07.2019 16:32
Është në rritje numri i rasteve penale dhe incidenteve të shkaktuara nga urrejtja...

Është në rritje numri i rasteve penale dhe incidenteve të shkaktuara nga urrejtja, ku prijnë veprat penale të motivuara nga përkatësia etnike. Kështu tregon raporti për vitin 2018 dhe të dhënat e fundit për vitin 2019 të prezantuara nga Komiteti i Helsinkit. Sipas tyre, këto raste gjejnë kulminacionin kur shteti ndodhet në krizë politike apo kur zhvillohen procese politike, përkatësisht gjatë proceseve zgjedhore.
“Ajo që ne e vërejtëm e që ka të bëjë me vitin 2018 është se numri i veprave penale dhe incidenteve nga urrejtja është dyfish më e madhe se në vitin 2017. Dallimi tjetër është se në përqindje, kishte rënie të numrit të veprave në rastet e motivuara nga përkatësia politike, megjithatë dallimi i tretë dhe serioz është se kemi rritje drastike të numrit të veprave penale nga urrejtja të motivuara nga përkatësia etnike”,- tha Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Fajin për paraqitjen dhe rritjen e këtyre rasteve e kanë institucionet kompetente të cilat nuk ndërmarrin masa për përmirësimin e gjendjes dhe dënimin e fajtorëve. Përveç prokurorisë, edhe gjykatat nuk i trajtojnë këto raste. Pa shqiptimin e dënimeve, qytetari i rëndomtë nuk mund të kuptojë se një gjë e tillë është e ndaluar, tha Pirovska.
“Vërejtja ime kryesore gjithmonë i është drejtuar Prokurorisë Publike, pasi që Komiteti Helsinkit është parashtrues i një numri të madh të padive penale që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, por deri sot për asnjë nga ato vepra penale nuk ka rezultat. E dhënë shqetësuese është se për këto raste në Republikën e Maqedonisë se Veriut ka vetëm një aktvendim për gjuhë të urrejtjes”,- theksoi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Për vitin 2018, nga 123 incidente të dorëzuara ka vetëm 24 padi penale edhe ato vetëm në rastet kur viktimë paraqiten politikanë apo persona publikë. Sipas Raportit, si vend ku janë regjistruar më së shumti këto raste është qyteti i Shkupit.
“Numri më i madh i padive penale ka të bëjë me vepra ku viktima kanë qenë persona publikë apo politikanë. Numri më i madh i incidenteve ku janë të inkuadruar fëmijë të mitur dhe të rinj mbetën të pazgjidhura dhe pa përgjigje adekuate institucionale apo janë regjistruar si kundërvajtje. Trendi i rritjes së incidenteve rritet shumë shpejt ashtu që prej muajit janar -qershor 2019 janë regjistruar 109 incidente”,- theksoi Hajdi Shterjova nga Komiteti i Helsinkit.
Nga Komiteti i Helsinkit apelojnë institucionet kompetente që të ndjekin rastet e tilla dhe të veprojnë mbi paditë penale që kanë bazë urrejtjen me qëllim prevenimin e veprave të tilla në të ardhmen. Rekomandojnë që Maqedonia e Veriut të ndjek përvojat e vendeve evropiane, të rritet numri i veprave të dënueshme nga urrejtja dhe të kyçen edhe vepra të tjera që kanë baza të ndryshme.
FLORIJE BELULI KAMBERI
