Maqedoni
Pr/ligji i arsimit fillor, Ademi: Avancim në karrierë për mësimdhënësit
22.07.2019 16:49
Propozim ligji për arsim fillor dhe ai për mësimdhënës dhe bashkëpunëtor profesional në shkollat fillore dhe të mesme...

Propozim ligji për arsim fillor dhe ai për mësimdhënës dhe bashkëpunëtor profesional në shkollat fillore dhe të mesme, kaluan leximin e parë në Komisionin për Arsim dhe Komisionin Juridik ligjvënës.
Ministri Ademi thotë se ndryshimet kanë për qëllim avancimin e procesit mësimor, ngritjen e cilësisë duke profesionalizuar mësimdhënësit dhe eliminuar politikën në mësimdhënie. Sipas tij, arsimtarët janë hallka më e rëndësishme për ngritjen e cilësisë, andaj është paraparë avancimi i tyre në karrierë duke filluar nga mësimdhënës fillestarë vitin e parë, më pas mësimdhënës, mësimdhënës mentorë dhe mësimdhënës këshilltarë.
“Mësimdhënësi apo bashkëpunëtori profesional mund të avancohet në titullin mësimdhënës mentor nëse ka së paku shtatë vite përvojë pune si mësimdhënës bashkëpunëtor profesional dhe i përmbush të gjitha kriteret për mësimdhënës mentor dhe mësimdhënësi mentor mund të avancohet në titullin e fundit mësimdhënës këshilltarë nëse ka së paku nëntë vjet përvojë pune dhe prej të cilëve së paku tre vjet në titullin mësimdhënës mentor dhe i përmbush standardet për mësimdhënës këshilltarë”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Komisioni i Arsimit miratoi edhe kërkesën për interpretim autentik të nenit 166, paragrafi 1, i Ligjit për arsim të lartë, i cili parasheh që kandidatët që kanë diplomuar para vendosjes së sistemit EKTC, të mund të emërohen si docentë, sepse deri më tani një gjë të tillë nuk ka paraparë Ligjin për arsim sipëror. Ky problem është evidentuar te studimet e mjekësisë, ku kandidatët pretendentë për titullin docent, edhe pse kishin mbaruar studimet deridiplomike dhe specializimin, për shkak të mungesës së ciklit të dytë u pamundësohej marrja e titullit docent.
FLUTURA LATIFI
