Linjë e re “Global SOS”, ndihmë urgjente nëse gjendeni jashtë vendit

22.07.2019 17:20

Të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që gjenden jashtë për punë ose pushime....

Të gjithë qytetarët  e Maqedonisë së Veriut, që gjenden jashtë për punë ose pushime, por kanë nevojë për ndihmë urgjente nga institucionet e vendit, apo konsultime me përfaqësitë diplomatike, tashmë do të kenë në dispozicion linjën e re “Global SOS”. Shërbimi që ka kaluar periudhën e provës 45 ditore, ofron përgjigjet e kompetentëve për raste urgjente edhe përmes mesazheve në viber ose e-mail dhe është një bashkëpunim mes Ministrisë së Jashtme dhe Drejtorisë për të Drejta Ndërkombëtare dhe Punë Konsulare.

“Për ne rast urgjent është kur qytetarëve tanë jashtë vendit u ndodhë: rast vdekje, ndeshje në komunikacion, katastrofa të natyrës, të jetë i grabitur, të jetë i sulmuar fizikisht, humbja e dokumenteve personale dhe mundësia që të pajiset me të njëjtat, të mbrohet nga shteti ku qëndron. Statistikat e deritanishme gjatë këtij afati 45 ditor ka treguar se 80% e thirrjeve kanë qenë për raste jourgjente, ndërsa vetëm 20% kanë pasur karakterin urgjent, por të gjithë janë shërbyer”,- tha drejtori i DDNPK, Luftim Spahiu.

“Vendosëm që në bazë të regullativave të tanishme, të formojmë një trup koordinues, për situata të krizave në sferën e marrëdhënieve konsulare dhe një linjë telefonike e cila do të jetë në shërbim të mërgatës sonë në përfaqësitë diplomatike dhe të cilën do ta quajmë “Global SOS”, e cila do të punojë edhe përmes viber, e-maileve dhe SMS”,- theksoi ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.

Numri i “Global SOS” është +389-75-273-372 dhe gjendet edhe  në faqen e MPJ-së, mund të shkruani edhe e-mail në adresën [email protected]. Aktualisht janë angazhuar tre persona kujdestarë, por pritet që ky numër të rritet. Shërbimi është aktiv çdo ditë prej orës 08:00 deri në orën 22:00. (Fitim Kryeziu, TVM2)