Rasti “Zhvatja”, përfundon ekspertiza e celularit të Janevës
Merr fund ekspertiza e celularit të krye-prokurores speciale, Katica Janeva....

Merr fund ekspertiza e celularit të krye-prokurores speciale, Katica Janeva. Raporti përfundon në Prokurorinë Publike, prej ku nuk jepen kurfarë detajesh nga ekspertiza në interes të hetimeve.
Se çfarë është konstatuar nga ekspertiza do të zbulohet kur do të krijohen kushte për këtë, njoftojnë nga Prokuroria. Edhe pse ende Janeva nuk është nën hetime për përfshirje eventuale në rastin “Zhvatja”, megjithatë Prokuroria i mori njërin nga dy celularët, ditën kur u arrestua Bojan Jovanovski dhe afaristi, Zoran Milevski.
Prokurorja, Villma Ruskoska, duke u thirur në deklaratën e djalit të Janevës, ka thënë se Janeva celularin tjerër e paska humbur në Beograd.
Hetimi do të duhet të dëshmojë se ka ndikuar i dyshuari, Bojan Jovanovski, ndaj një prokurori pasi ka marrë 1.5 milion euro nga afaristi, Orce Kamçev, që të lirohet nga akuzat për rastin “Perandoria”.
JOVESKI: PARATË JANË DHËNË KESH
Sipas prokurorit publik, Lubomir Joveskit, afaristi i cili është dëshmitar në rastin “Zhvatja”, paratë ua ka dorëzuar kesh tanimë të dyshuarve, Jovanovskit dhe Milevskit.
“Paratë janë dhënë në dorë, në dy pjesë. Prokuroria edhe në procedurën parahetimore konstatoi mënyrën dhe llogaritë nga të cilat janë siguruar paratë. Që mos të dëmtojmë procesin, nuk do të zbuloja detaje të tjera. Kur do të krijohen kushte, opinioni do të njoftohet për mënyrën e kryerjes së veprës penale për këtë lëndë”,- ka deklaruar Joveski për gazetën “Nezavisen”.
Sipas tij, hetimi do të zgjerohet edhe me të dyshuar të tjerë, por pa thënë se ata mund të jenë politikanë ose prokurorë.
ARSOVSKI: ZAEV, SPASOVSKI E RUSKOSKA MBROJNË JANEVËN
Prokurorja speciale, Katica Janeva, dha dorëheqje të hënën e kaluar, ditën kur u arrestuan Jovanovski dhe Milevski. Pas një dite, ajo ka hapur pushim mjekësor, por pa qenë e kapshme për opinionin. VMRO – DPMNE ka akuzuar pushtetarët, por edhe prokuroren Ruskoska, se me vetëdije i japin hapësirë dhe kohë Janevës që të shpëtojnë nga rasti.
“Zoran Zaev, Oliver Spasovski dhe Vilma Ruskoska, a e mbrojnë dhe fshehin Katica Janevën nga organet e përndjekjes? Ka disa paqartësi në procedurën gjyqësore. Ruskoska pranoi publikisht se e ka ditur ka dy muaj për bisedën midis Katica Janevës dhe Boki 13 dhe gjithçka që është biseduar, por nuk ka ndërmarrë dhe spo ndërmerr asgjë për këtë çështje”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
LSDM: MBROJTJA E KRIMINELËVE, TIPAR I VMRO-SË
Ndaj akuzave të opozitës ka reaguar nga LSDM, të cilët thonë se mbrojtja e kriminelëve dhe fshehja e krimit është tipar vetëm i VMRO-DPMNE-së. Socialdemokratëve bëjnë me dije se partia e tyre ka dëshmuar që beteja kundër krimit nuk njeh përkatësi partiake dhe kjo duhet të jetë e pakompromis dhe joselektive. (Meral Ismaili, TVM2)
