Pr/ligji për PSP-në së shpejti në kuvend

22.07.2019 18:12

Propozim ligji i ri për Prokurorinë Publike....

Propozim ligji i ri për Prokurorinë Publike, i cili do të sanksionojë edhe statusin e Prokurorisë Speciale, pritet që gjatë të martës të futet në procedurë parlamentare.

LSDM KËRKON PËRKRAHJEN E VMRO-DPMNE-SË

LSDM konsideron se në këtë projekt ligj janë inkorporuar disa nga kërkesat kryesore të VMRO-DPMNE-së, prandaj fton opozitën maqedonase që ta përkrahë dhe votojë në komisione dhe në seancë plenare.

“Ishte propozim i VMRO-DPMNE-së që Prokuroria Speciale të integrohet në kuadër të Prokurorisë Publike dhe u pranua. Propozimi që prokurorja, Vilma Ruskoska, të udhëheq Prokurorinë e re për krim të organizuar, nuk është vendim i politikanëve. Ruskoska për momentin është njeriu i parë i Prokurorisë Themelore për krim të organizuar dhe korrupsion”,- theksoi zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

VMRO KUNDËR RUSKOSKËS, ANALIZON LIGJIN

VMRO-DPMNE ende pa qëndrim konkret për projekt ligjin, por është kundër që Ruskoskës të drejtojë Prokurorinë e re, propozimet e saj ua ka dërguar ambasadave të huaja.

“Sa i përket ligjit, ende po bëjmë analizat e ligjit në tërësi, gjatë ditës së nesërme ose kurdo që të mbarojë analiza do të dalim me vërejtje konkrete. Sa u përket propozimeve të tjera, thamë se Vilma Ruskoska është e papranueshme për ne pasi ajo është në lidhje të drejtpërdrejt me Zoran Zaevin”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

BDI: PR.LIGJI, BAZË E MIRË PËR KOMPROMIS

Edhe BDI në pushtet konsideron se projekt ligji është bazë e mirë për kompromis, ndërsa zgjedhjen e prokurores konsideron se duhet ta bëjë Këshilli i Prokurorëve. 

“Ligji për Prokurorinë e Përgjithshme është një bazë e mirë mbi të cilën mund të ndërtohet një kompromis dhe të arrihet një konsensus midis partive politike të përfaqësuara në parlament. Uroj që gjatë debati të fillojë në komisione dhe në seancë plenare të gjejmë gjuhë të përbashkët për shkak se bëhet fjalë për një ligj sistemor i cili rregullon punën prokuroriale, prandaj vlerësoj se nevojitet përkrahja e të gjithëve”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Edhe opozita shqiptare po shqyrton propozim/ligjin për Prokurori Publike. Paraprakisht, Aleanca për Shqiptarët hodhi idenë për një prokuror nga BE, i cili do të vihej në krye të Prokurorisë së re.

Lëvizja BESA njoftoi se ka shumë vërejtje për pr/ligjin për Prokurorinë Publike, por u tregua e gatshme për bashkëpunim me kusht që, fillimisht, të caktohet data për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

As 8 deputetët e pavarur të VMRO-DPMNE-së nuk kanë ndërtuar qëndrim për pr/ligjin në fjalë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)